Fitorja e thellë e Partisë Socialiste në Vlorë, ku Damian Gjiknuri, i njohur si hartuesi i Kodit Zgjedhor ka marrë një numër të madh votash, ka bërë që të reagojë kandidati për deputet të Qarkut të Tiranës për PD-në, Kreshnik Çollaku.
Çollaku, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, ka thënë se pasojat e sistemit zgjedhor kanë bërë që demokratët të humbin thellë. Nga ana tjetër, ai nuk kursehet kur thotë se opozita e votoi në mënyrë naive Kodin Zgjedhor, duke vijuar se është krenar që e ka votuar kundër.
Statusi i Kreshnik Çollakut:
“Bravo Damian, e bëre tërmet prapë. Sot është dita për të mos harruar, se thellësinë e ‘fitores’ së Ramës në 11 maj, përveç vjedhjeve të votave, e siguroi dhe një Kod Zgjedhor si një kurth për opozitën, duke i siguruar 12 mandate në tavolinë. Këtë kod, një pjesë e opozitës në korrik 2024 e votoi në mënyrë naive pro, por sot, më shumë se kurrë, jam krenar që e votova kundër.”
Komente
