E jashtëzakonshme! Mbijetesa 1 vit në shpellë e klerikut që komunizmi dha urdhër ta pushkatonin /DËSHMITË (Speciale)

SHKODËR - Një zbulim i jashtëzakonshëm. Në fshatin Vrith në Malësinë e Madhe në famuLlinë e Shën Nikollës në Shkrel u zbulua shpella ku për 1 vit jetoi Dom Nikollë Gazulli një figurë emblematike për mbarë kombin shqiptar e në mënyrë të veçantë për klerin katolik.

Ekipi i Report Tv, shkoi rreth 50 km larg Shkodrës, pranë luginës së Shkrelit në Malësinë e Madhe, atje ku qëndron në qendër të saj kisha shekullore e Shën Nikollës, e pa shembur gjatë regjimit komunist, por e shndërruar në një kapanon të ish Kinostudios “Shqipëria Sot”.

Kësaj kishe të shenjtë, do t’i rikthehej lavdia e dikurshme vetëm pas rënies së regjimit komunist.

Report Tv sjell pamje ekskluzive të gjetjeve në shpellën në afërsi të fshatit Vrith në Malësinë e Madhe, të cilat i përkasin një emri të madh të albanologjisë, klerit katolik dhe Martirit të kishës katolike Dom Nikollë Gazulli.

Ai u përndoq nga komunistët, sepse nxiti dhe përkrahu Kryengritjen e Postribës të njohur ndryshe si Rezistenca e parë antikomuniste në Malësisë së Madhe që u organizua në vitin 1945.

Thirrjes për t’u dorëzuar Dom Nikolla nuk iu bind. U fsheh në këtë shpellë të errët, ku u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël.

Dom Nikolin Sheldija, Famullitar i Shkrelit, na ka mirëpritur për të na rrëfyer emocionet e këtij zbulimi së bashku me Dom Artur Jakun, të cilët u bënë dëshmitarë të këtyre gjetjeve. Këto relike, sipas tyre mbartin, jo vetëm një vlerë historike, por edhe një vlerë shpirtërore.

"Një zbulim i tillë për këtë zonë është një shenjë shprese: Më në fund ramë në gjurmët e Gazullit.  I thonë 73 vite vetëm një ëndërr.  Në zonë flitej për shpellën afër banimit, afër fshatit. Kjo është pjesa më e bukur e fshatarëve. Sa kemi rënë në kontakt me shpellën dhe njerëzve ju mbushën sytë me lot se më në fund u zbulua jeta e Gazullit, i cili luftoi për me qenë ne të lirë", shprehet Dom Nikolin Sheldija, famulltar i Shkrelit.

Mbi tryezën e zyrës së Dom Nikolinit qëndrojnë pikërisht ato enë, që duket sikur flasin për përvujtëninë e Dom Nikollë Gazullit, figurës emblematike të dijetarit, albanologut dhe klerikut të shquar shqiptarë, i cili për më shumë se një vit ka mbijetuar në një shpellë të egër e të errët. Dom Nikollë Gazuli është ushqyer pikërisht në këto enë, të cilat koha thuajse i ka dekompozuar, por s’i ka humbur gjurmët e çmuara.

"Nga dita në ditë besimtarët më prezantonin disa shpella dhe thuhej se Gazulli ka jetuar në to. Por nuk të jepnin përshtypjen se ai kishte jetuar aty. Një ndër ditët më interesante këtu në famulli time vjen një fëmijë i vogël dhe më thotë se kishin hasur në shpellën e Gazullit.  E pyes sesi ishte shpella. Ai më tregon për sendet. Më tha se shpella u zbulua pasi një nga kecat e tufës kishte rënë brenda dhe gjatë momentit që ato po kapnin kecin kanë zbuluar shpellën. Vetë shenjat na çuan tek Gazulli. Një palë shkallë, kovë. Aty e kuptuam që është shpella e Gazullit. Kjo është një gjë e shenjtë", thotë Dom Nikolin Sheldija.

I drejtohemi fshatit Vrith, i cili është vetëm pak km nga kisha e Shën Nikollës, rrugës drejt Razmës, në një rrugë të thepisur, ku na duhet që të ecim në këmbë. Ky terren i thyer dhe natyra e egër i ka shërbyer Dom Gazullit për t’u mbrojtur nga forcat e komanduara komuniste. Ai ruhej nga besnikët e tij, dhe u shmangej atyre, të cilët kishin urdhër të prerë ta pushkatonin. Ai ishte vëllai i një tjetër kleriku të shquar Gjon Gazullit, i cili u dënua me varje nga Mbreti Ahmet Zogu.

Por tragjedia do të përsëritej edhe në regjimin e Hoxhës në derën e Gazullëve. Dom Nikollë Gazullin e vranë ata që kishin nisur të instalonin një nga diktaturat më të egra komuniste.

"Në fakt ne e dimë që Dom Nikollë Gazulli është pushkatuar në këto zona. Fatmirësisht para një dite zbuluam nëpërmjet informacioneve që banmorët e vendit na treguan, vendin ku ai ka jetuar për pak a shumë një vit", shprehet Dom Artur Jaku, ish-famulltar i Shkodrës.

Ndërsa vendi sekret, ku ai ka qëndruar do të zbulohej vetëm dy ditë më parë, duke iu shmangur atij regjimi, i cili nuk falte kur bëhej fjalë për të tillë personazhe emblematikë.

"Ku kemi zbrit së bashku me famulltarin e  Shkrelit në vendin ku ai ka jetuar dhe kemi parë dhe enët ku ai ushqehej është një emocion i jashtëzakonshëm. Kushtet ishin skandaloze sepse e dimë që këtu edhe natyra është e egër. Zbulimi i këtij vendi na bën me kuptu qëcfarë do të thotë kur një person e  don zotin dhe Shqipërinë është gati me sakrifiku. Prandaj ky zbulim është një zbulim shumë i rëndësishëm", thotë Jaku.  

Report Tv sjell pamjet ekskluzive të shpellës ku ka qëndruar Dom Nikollë Gazulli.

Shkreli, është një nga famullitë më të rëndësishme të veriut të vendit, dhe tek hedhim një sy në portretet e meshtarëve që kanë shërbyer në famullinë, dallojmë figura të kombit shqiptarë, të letrave shqipe si Dom Ndre Zadeja, apo Dom Lazër Beltoja të cilët kanë shërbyer në këtë kishë nën moton për fe e atdhe.

"Famullia e Shkrelit është ndër famullitë më të rëndësishme, pasi në këtë famulli kemi pas famuliltarë shumë të rëndësishëm. Si Dom Masnika i cili ka luftu për çlirimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e gjuhës shqipe", thekson Dom Nikolin Sheldija.

Dom Nikolini gjatë bisedës për të ndan me ne, për herë të parë edhe të tjera relike të ruajtura me shumë kujdes në këtë kishë, siç është Bibla me të cilën ka ushtruar shërbesat fetare Dom Nikollë Gazulli, enët e vajrave me të cilat janë kremtuar meshat solemne në vitin 1945 pak para sulmeve fatale ndaj klerit katolikë nga regjimi komunist në Shqipëri

Si për ironi të fatit, shpella ku ka jetuar Dom Nikollë Gazulli është zbuluar vetëm pak ditë nga 23 Gushti, i cili shënon edhe ditën Evropiane të Viktimave të Komunizmit, e në këtë ditë Dom Artur Jaku ka një mesazh të fortë për politikën shqiptare, për ndërgjegjen e atyre që sot drejtojnë të cilët duhet të ringrenë moralin e tyre pikërisht duke u bazuar në këto figura të cilat dhanë jetën për vendin.

"Shqipëria gjatë komunizmit ka kaluar një fazë të tmerrshme. Është bërë rrënimi i rinisë shqiptare. Është e trishtë do ta them hapur që shoqëria shqiptare dhe politika vazhdon të lëngoje. Unë kur kujtoj vujtjen e sakrificën meshtarëve, sakrificën them a ja ka vlejtur. Unë them ja ka vlejtë. Por nuk mund të heshti përballë kësaj ngjarje", thotë Dom Artur Jaku.

Nga ana tjetër, Dom Nikolin Sheldija në këtë ditë përcjell një mesazh për institucionet, të cilat duhet të angazhohen të gjejnë eshtrat e Dom Nikollë Gazullit si amaneti i fundit dhe detyrimi më i vogël që shteti shqiptar i dha kësaj figure.

"Don Gazulli duke arrdhur nga një familje me ide të hapura nuk është pajtu me regjimin e asaj kohe", shton Dom Nikolin Sheldija.

Një histori jashtë reales, por e përjetuar nga kjo figurë emblematike,që përballë terrorit komunist mbijetoi i vetëm në këtë shpellë të errët ballë malit të Velecikut, ku shihej vetëm pakëz dritë!  Kishte dëgjuar për torturat që i bëheshin klerit në burgun e Shkodrës. E nuk pranoi as të rrinte në shtëpitë e malësorëve për "mos me i marrë në qafë". Filologu i madh u fsheh për 3 javë në një zgavër në tokë pranë Dedajve, që sot quhet Shpella e Priftit. Më pas u ngjit në Vrith, ku qëndroi i fshehur në një shpellë të egër.

"Kjo të tregon jetën e të krishterëve. Gazulli ka lëvizur. Disa persona që e mbështesnin e dinin kur ndodhej ai dhe e ushqenin atë. Përdornin sinjale me njëri-tjetrin", shprehet Dom Nikolin Sheldija

Ushtarët e ndjekjes, të njoftuar për vendndodhjen e tij, e rrethuan hyrjen e shpellës dhe shtinë batare të gjata pushkësh. Kur u afruan, kurmi i Gazullit ishte i ftohtë dhe i ngrirë. Në të vërtetë kishte vetëm një vrimë të vjetër plumbi në kokë, që i kishte marrë jetën kohë më parë. Kush e kish bërë këtë?

Dom Nikollë Gazulli konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare, i vlerësuar për hartimin e fjalorëve të shqipes nga albanologu i shquar Nobert Jokli.  Kur kërkuan ta arrestonin në janar të 1946-s, nuk pranoi të burgosej; “Un nuk bij kurrë i gjallë n‘dorë t‘ktyne!”, tha në atë kohë martiri Dom Nikollë Gazulli.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?