262 kilogramë kanabis është sekuestruar në fshatin Kaninë nga policia e Vlorës, pas një operacioni të koduar 'Çairet'. Policia ka shpallur në kërkim 3 autorët e dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike, shtetasit Fatbardh Kapllanaj, 45 vjeç, Engjëllush Kapllanaj, 22 vjeç dhe Klajdi Kapllanaj, 20 vjeç.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi, në vendin e quajtur “Çairet”, në fshatin Kaninë, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në banesën e shtetasit Fatbardh Kapllanaj, u gjet dhe u sekuestrua 210 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient pranë banesës së këtij shtetasi, e përshtatur si serë, me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike, policia gjeti fidanë narkotikë të kultivuar në serë dhe në kubikë, si dhe një sasi prej 52 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, në proçes tharje.
Ndërkohë policia ka arrestuar në flagrancë dy shtetas që nuk përmbushën detyrën, kyreplaku i fshatit Kaninë Andon Todi, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit" dhe Gramos Islamaj, punonjës i OSHEE-së, për “Shpërdorim i detyrës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivim i bimëve narkotike”, “Vjedhje e energjisë elektrike”, "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Moskallëzimi i krimit".