TIRANË- Një ditë pasi SPAK dorëzoi prova të reja për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka sulmuar ashpër ish-sekretarin e përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari. Duke hequr përgjegjësitë nga vetja, në reagimin e tij në rrjetet sociale kreu i PL-së.
Sipas tij gjatë kësaj kohe ka qenë president dhe jo kryetar i LSI, ndërsa shton se po mbahet në qeli për firmat e Braimllarit.
“Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur.
Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie. Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës.
Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?”, shkruan Meta.
Në fakt, në dosje SPAK citon një shifër 369 mijë dollarë si të padeklaruar nga LSI, ndërsa në rastin e Endrit Braimllarit bëhet fjalë vetëm për një pagesë 20 mijë dollarë që ai në emër të LSI-së kishte autorizuar t’i paguhej kompanisë së lobimit, shpenzime sipas të cilit janë deklaruar në KQZ.
Prej 27 majit Ilir Metës i janë komunikuar akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë për dosjet e CEZ-DIA, lobimit në SHBA dhe hetimit pasuror. Me të njëjtat akuza SPAK ka marrë të pandehur edhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Pjesë nga dokumenti i ndarë nga Meta
Pas deklaratës së kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili tha se mbahet në izolim për shkak të firmave të Endrit Braimllarit për çështjen e lobimit, ka ardhur një reagim nga ky i fundit.
Braimllari e ka konsideruar këtë deklaratë si një përpjekje për të intimiduar dhe goditur imazhin e tij. Ai e cilëson sulmin e Metës si një tentativë për të hequr vëmendjen nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë.
‘Përpjekje e qartë për të më intimiduar dhe për të goditur imazhin tim publik. Nxjerrja e materialeve hetimore nga dosja i shërben tërheqjes së vëmendjes nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë. Endrit Braimllari nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi. Fatura që i referohet është një procedurë e ligjshme, e paguar me bankë, e deklaruar në KQZ dhe e audituar nga KQZ. Ai e di shumë mirë që po hetohet për mosdeklarim. Duhet ta dijë qartë që nuk përbën shkelje të ligjit kur deklaron shpenzimet dhe burimet e tyre të ligjshme. Në dijeninë time partia ku unë aderoja më parë ka pasur lobime vetëm në kohën kur Z.Meta ka qenë kryetar partie’, tha ai.
Komente
