Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka konfirmuar për "Sport Italia" se javën që vjen do takohet me trajnerin Sylvinho për të diskutuar kontratën e re.
Tanimë e ardhmja e Sylvinhos është çështje për Kombëtaren, me trajnerin që nuk është më nën kontratë pas Euro 2024 dhe pret ofertat e ndryshme, që duhet thënë se nuk mungojnë nga Evropa apo edhe nga Brazili.
"Kontrata e tij ka përfunduar pas eliminimit nga Europiani, por ne i kemi ofruar rinovimin që në muajin janar dhe propozimi qëndron ende. Besoj se do të finalizojmë shpejt marrëveshjen, pasi edhe ne duam të vazhdojmë bashkëpunimin. Aktualisht Sylvinho është me pushime dhe javën e ardhshme do të takohemi sërish për të diskutuar për vijimin e punës së nisur së bashku", tha Duka.
Në fjalët e Dukës ka një pasiguri, pasi trajneri prej janarit e ka kontratën e re me FSHF-në mbi tryezë dhe ende nuk e ka firmosur. Pritet që java e ardhshme të jetë vendimtare për të ardhmen e brazilianit në stolin kuqezi, me trajnerin që tanimë ka marrë edhe pasaportën shqiptare.