Godina ku ndodhet KLP
Pas Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka reaguar sot (12 Shkurt) edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, që bëri për gjyqtarin e çështjes së arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Por deklarata kundër Drejtësisë sot dhe veçanërisht SPAK dhe Dumanit, pati edhe Sali Berisha.
KLP thekson se mbështet punën e pavarur të prokurorëve dhe kërkoi “nga të gjithë aktorët”, që “të respektojnë integritetin profesional të prokurorëve”.
“Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”, thuhet ndër të tjera.
Deklarata e Këshillit të Lartë të Prokurorisë:
“Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë, për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent”.
Lajmi kryesor:
Drejtësia reagon ndaj Ramës, KLGJ: Persona të veshur me pushtet po prekin figurën e gjyqtarëve! KLP: Mos cënoni pavarësinë! Shmangni deklaratat
A.Q/ReportTv.al