Pas Shqipërisë, edhe Kosova po vuan problematikën e zjarreve që po gllabërojnë hektarë të tërë me pyje e kullota, edhe si pasojë e temperaturave të larta.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se shkaku i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre.
“Situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjenciësë, rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
17 prej këtyre zjarreve tashmë janë lokalizuar, ndërsa 12 mbeten ende aktive. Agjencia u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192.
Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut. Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka treguar se në cilat zona janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur për zjarre në disa fshatëra të kësaj komune.
“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë - Sallagrazhdë - Mushtisht”, shkroi në Facebook, ku publikoi një video. Agjencia e Menaxhimit Emergjent raportoi edhe dje për gjithsej 23 zjarre, prej të cilat shtatë kishin qenë aktive deri në orën 15:00.
Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë kapeshin nga zjarret.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre. /REL/
Zona periferike e Prizrenit është përfshirë nga zjarre të mëdha gjatë ditëve të fundit, me vatra aktive në fshatrat Lubizhdë dhe Korishë.
Temperatura mbi 40°C që kanë mbërthyer rajonin e Prizrenit kanë ndikuar drejtpërdrejt në shpërthimin dhe përhapjen e flakëve, duke vënë në rrezik mjedisin dhe jetën në këto komunitete rurale. Sipas raportimeve nga terreni, përveç dëmeve në bimësi dhe kullota, disa kafshë shtëpiake nuk kanë mundur të shpëtohen dhe kanë ngordhur për shkak të flakëve dhe tymit të dendur.
Gazetari i Report Tv, Benet Beqiri, informon se banorët kanë ndërhyrë me mjete rrethanore, duke rrezikuar jetën e tyre, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të shmangur humbje njerëzore nderkohe qe rruget ne dy drejtime per ne Prizren jane bllokuar si pasoje e fluksit te larte te levizjes se mjeteve.
Autoritetet vendore kanë theksuar se zjarret janë pasojë direkte e temperaturave ekstreme dhe thatësisë së tejzgjatur. Zjarrfikësit janë vënë në dispozicion, por terreni i thyer dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme e kanë vështirësuar ndërhyrjen. Komuna e Prizrenit dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, duke apeluar qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të nxisë zjarre, si ndezja e zjarreve në ambiente të hapura apo hedhja e mbetjeve të ndezshme në natyrë.
Situata mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm, ndërsa pritet që një valë e lehtë freskimi në ditët në vijim të ndihmojë në shuarjen e vatrave të mbetura.Prizreni dhe fshatrat jane perfshire nga reshje shiu pasditen e se shtunes.
Komente
