Opinion

Edison Ypi: Hambar

23 Prill, 13:12| Përditesimi: 23 Prill, 13:20

  • Share

Rrokaqiejt e Fierit duken nga larg si Singapori.

Ku ndahen rrugët për Vlorë ose Tepelenë duhet me pas kujdes nga gjithato rrotullime, se po qe nisur për tu larë në det, mund të përfundosh duke ngrënë mish nëpër male, ose e kundërta.

Nga Levani drejt Tepelenës, bujqit lokalë kanë shpikur një modë të re marketingu të prodhimeve bujqësore. Për tu rënë sa më tepër në sy të makinave që kalojnë me shpejtësi, mbi tezgat me fruta dhe zarzavate anës udhës, valavisin flamuj kuq e zi.

Një teptil nga Varibopi  me një kazan të vogël me levë mbi kurriz, thotë se ka 650 rrënjë ullinj, s'ka ngè të llafoset, po ikën të spërkasi vreshtin.

Një buçko nga Cakrani, më i ngeshëm ky, nuk ka shumë ullinj, veç nja 300 e ca rrënjë, por ka punishte vaji.

Një tjetër nga Gjonçi më këmbë mbi karrocë nuk ka as ullinj as ullishte, ka mbi 300 krerë dhën, e nja 200 kokë dhi.

Më ka gjet belaja. Un kërkoj fukarenj nga ata që thotë gazeta, këta më dalin të gjithë bosa.

Për fat, te një grill i famshëm afër Poçëmit, puntori i karburantit spjegon gjith qef si shkohet në Kremenar:

Pas nja dy a tre kilometrash ke një tabelë me shigjetë, kthe majtas për në Fratar. Q'aty Kremenarin e ke më pak se dy kilometra.

Fratari amanejarebi. Si kazani dreqit. Plot me kafenera, kamiona, furgona, traktora, materiale, ndërtimi.

-Mirseugjeta. Gjak e dhjam kafeja dhe rakia.

-Mirsenaardhe. Bujrum. Ulu.

-Je nisur për te tyrbja zotrote, te Teqeja, te Babai, te vendi i mirë ?

-Po. E gjete. Te një vend i mirë jam nisur e po vete. E dini ju ç'ka bërë vaki këtu më 1943 ?

-Jo, nuk e dimë, na e rrëfe ti.

-Mehmet Shehu me një Çetë me ca rrjepacakë të quajtur parrizanë vajtën të vidhnin arkën e minierës aë Selenicës ditën e rrogave të puntorëve. Atje rrjepacukët u ndeshën me karabinierët që ruanin minierën. Italianët njoftuan komandën e Vlorës. Komanda çoi urgjent në Selenicë një Brigadë me karabinierë. Brigadës së karabinierëve u zuri pusì Çeta e rrjepacukëve. Italianët me O sle mio dhe me duar në xhepa, partizanët me dyfek me gjalmë gishtin në këmbëz, plaçkitën arkën, vranë, çarmatosën italianët. 130 italianë çveshur e zbathur që mbetën gjallë, i lidhën dor për dorë me litarë, i çuan në Kremenar. Aty Mehmet Shehu i hodhi të gjallë në një shpellë. Kam ardhur të shoh shpellën.

U hodh e tha njëri:

-Hodhi italianët, pastaj hodhi dhe veten në shpellë.

Në të hyrë të Kremenarit, unë duke u ngjitur, ai duke zbritur, takoj një banor, Bilbil i thoshin. Bilbili që po shkonte të paguate faturën e korentit dhe të ujit në Fratar, pasi bëri ca naze, pranoi të më shoqëronte te "Shpella e Lakuriqit të natës" ku Mehmet Shehu hodhi të gjallë 130 italianët.

Tre a katër çobenë të rinj në moshë me trasta me ushqime dhe pagure uji, kullosin bagëtinë.

Pllajë e çveshur, livadh, prejnga duket si në pëllmbë të dorës nga deti në Tepelenë.

Te Ura e Peratit te Tre Urat ka një pllakë përkujtimore për qindra italianët e vrarë.

Te Shpella e Kremenarit ku ende dëgjohen grahmat e vdekjes, s'ka asnjë pllakë, asnjë shenjë sado të thjeshtë që ta kujtojë si ngjarje: "Në këtë shpellë Mehmet Shehu hodhi të gjallë 130 karabinierë.

Tatëpjetë për me vajt në Selenicë ku Mehmeti vodhi dhe vrau, pamjet e autostradës si gjarpër në luginë janë frymëndalëse.

Pyetje pa përgjigje: Pak përrenj e gropa e zgëqe e hendeqe ka nga Selenica në Kremenar që shoku Mehmet u mundua gjer te shpella në Kremnar ?

Për me vajt në Selenicë ku Çeta e rreckamanëve asgjësoi Brigadën italianëve, duhet me kalu Vjosën në Poçëm.

Poçëm-Vllahinë-Peshkëpi-Selenicë është e asfaltuar, është e rehatëshme, është për çunat e mamit, për dlikatët.

Të krisurit, të çartallosurit, shkojnë nëpër rrugë me gunga, anës lumit, Poçëm, Karbunarë, e tutje.

Ka fshat me qëndër fshati. Nuk ka qëndër fshati pa fshat. Karbunara është një qëndër fshati pa fshat. Në qëndër të qëndrës së fshatit të Karbunarës ndodhet një si ish-shkollë ose ish-depo ku në murin me tulla të bardha silikate është shkruar me tulla të kuqe RROFTË PPSH. Ta prishësh sloganin duhet me shemb murin. Punë që s'bëhet.

Në minimarker asnjë blerës. Në kafene heshtje gjithashtu.

Lapidari ka disa emra të rënësh: Dy në luftë. 1 me diversantat. 1 në Provokacionet e gushtit. Të tjerët s'dihet ku.

Poçëm Karbunarë e tutje është një lungofiume dalldisëse me ara, livadhe, luginëza, kullota, vreshta, ullishta. Të mblidhen ku janë e ku s'janë, komitetet, komisionet, shtabet, urgjent të asfaltohet.

Në Rromës, mes Karbunarës dhe Selenicës, te porta e një parcele ullinjsh, rrëzë gardhit, nja 1 metër mbi tokë një si kullë në miniaturë me një sferë në majë. Një tjetër sferë mbi truall nja 15 centimetra diametri. Të gjitha të kuqe. Pak më tutje, në qëndrën e Rromsit, një kalimtar spjegon se autori i kullës fantashkencore në fjalë është mësuesi i fshatit adhurues i pikturës moderniste. Në shtëpi ka qinda volume stereometrike me ngjyra të zjarrta të bëra vetë që i ka parë nëpër ëndërra. T'i shohësh luan nga ment e kokës. Fshati e mban për të lojtur.

Në rrethinat e Selenicës gropë bitumi e stërmadhe që të kujton minierat e floririt në Afrikën e jugut ku zhgërryhen skllevërit.

Pse nuk i hodhi këtu te kjo gropë ata 130 karabinierët e gjallë Mehmet Shehu, po u mundua gjer në Kremenar ?

Përgjatë periferisë së qytezës së famshme së serës, eskavatorë të heshtur me kova si brirë hiperbolikë rinocerontash të përgjumur.

Çun i vogël si xhind që sapo ka dalë nga shishja thotë:

Më ka thënë babi në kohën e xhaxhit miniera shfrytëzohej me galeri, me dekovil, me rregulla, si te filmi Germinal. Tani i janë i vërsulur minierës bjeri-ti biem, po e shqyejnë si ujqit dhëntë me buldozera dhe eskavatora nga sipërfaqa, e kanë katandisur për ibret. Kemi bustin e Minatorit të Panjohur rënë në punë për të mirën e Atdheut në mes të qytetit.

Qëndra e Selenicës, me shkollë të re të bukur me ngjyra, kafene, kasap, berber, minimarket, dhe të tjera, me në mes lapidar allçini kushtur "Minatorit të panjohur"që nuk ra në luftë, as në provokacionet e gushtit, dhe as në përpjekje me diversanta, por në punë, si te Germinali. Mungon vetëm Anton Çehovi që ta pavdekësojë me tekst atmosferën mortore dhe Enio Morricone të kompozojë sfondin e duhur muzikor për vrasje me porosi nga burgu.

Diku mes Selenicës dhe Peshkëpisë, sozia i Omar Sharif  me flokë, me mustaqe, me atë hapësirën mes dhëmbëve, me të gjitha, ka vilë, ka tokë, ka njerëz në kurbet, ankohet për paret që i mungojnë, për korrupsionin që po e vdes, për rendin që po e varros.

Në perëndim, në horizont, Trevëllazër dhe Llakatund. Kujtim i mrekullueshëm nga dita kur Jeep-i ma la pushkën në faqe, u zhyt në baltë dhe ngeci.

Peshkëpi si Peshkëpia, mbytur e tëra në vreshta dhe ullishta.

Me gjithato luftra, prita, lapidare, përkujtimore, pasi kalova Kotën ngatërrova kthesën për Sevaster, ja thera kotmëkot nëpër Lumin e Vlorës drejt Kuçit. Sa s'u çmenda nga qefi. Thash' se humba.

Duke u kthyer, ta një kafene ku ishin ulur katër vigana, pyes njërin nga divat, atë më seriozin:

-Lebër jeni ju ?

-Nuk jemi lebër, tha, jemi malokë.

U muar vesh që e kishte me kunj. Ika sa pa plasur sherri.

Kthesat për Sevaster janë më spektakolaret në botë.

Fshati Vajzë, çka. Një poet dhe një dëshmor, nuk përkujtohen me gjithatë beton.

Duke u ngjitur, Mali i Sevasterit, deti përballë, kodrat në mes, janë një bukuri që nuk mund të rrëfehet me fjalë, duhet muzikë, pikturë, Beethoven, Leonardo.

Në Sevaster nuk ka shpellë ku janë hedhur italianë të gjallë. Ka një ish-shkollë e ndërtuar me gurë më 1933, shndërruar në gërmadhë për të xhiruar filma me fantazma. Pak më tutje shkollë e re.

Në kafene llafosem pak me dy zotnij shtatlartë, seriozë dhe të vëmendshëm. I falenderoj për muhabetin dhe zotnillikun, dhe largohem.

Te restoranti, te kroi, te minimarketi, te kthesa për Tepelenë, nja katër a pesë makina me lebër brenda, të gjithë më thanë: Ja do bëhet deputet Agron Shehaj, ja qielli do nxihet, Vjosa do thahet, mali do bëhet shkrumb e hi. Si u sigurova për këtë, më tutje s'pyeta më.

Duke u kthyer, pak në të dalë të Sevasterit, duhet me zgjedh: Drejt asfalt, apo djathtas nga rruga e vjetër ?

Ç'është ajo fjalë ? Djathtas ore djathtas. Vetëm djathtas. Vetëm nga rruga më e vështirë ku të kënaqesh me sa më tepër vende që i sheh për herë të parë.

Te kthesa djathtas lapidar gjigand pa asnjë mbishkrim.

Venë e vinë fuoristrada dhe motocikleta me targa të huaja të marrosur pas bukurive të këtyre anëve.

Gjithandej puse nafte.

Anës liqenit të Amantias njëri prej puseve gërrhet ngadalë. S'do që s'do të dali në pension. I duket se po u ndal, do vdesi.

Diku mes kësaj ëndërre me kodra, fshatra, pyje, liqene, fanepset një no name, no time, no war, lapidar modest. Dy heronj të heshtur mbështetur pas tij që janë nisur për te katundi Utopia, po presin një furgon që s'do vijë kurrë.

Sevaster - Vllahinë, në mos një çmendje apo një dalldisje, është padyshim një arratisje në viset më të bukura të botës me një rrezatim dantesk që ta merr frymën. Kushurirat e para të kësaj copëze Shqipëria, Dumreja, Darsia, dhe tjetra motër martuar përtej detit, Toskana, përkulen plot rrespekt para kësaj mrekullie. Çfarë i mungon dhe plotësisht e meriton kjo Parajsë e vogël me taban të fortë dhe rrotull kodra të buta, është vetëm një shtresë asfalt.

Në Vllahinë duhet të ndahem nga ky realitet i bukur si ëndërr.

Vllahinë-Poçëm, e deri në Tiranë është asfalt si në Itali, Gjermani, Amerikë.

Kur po do kthehesha në Cakran për të ikur rrëzë kodrave ngaqë autostradën kur mundem e evitoj, më zuri syri një tabelë me shigjetë: Hambar.

Ham Bar. Emër katundi sikur e ka pagëzuar Yuri Kim.

Futem në Hambar.

Hambari është plot me ara, ngastra, ullinj, rrush, fruta, shtëpi, vila, makina të shtrenjta, kopështe, oborre, zotërinj me kostume dhe kravata.

Peiszhi shqiptar ka ndryshuar rrënjësisht, dhe përgjithmonë.

Diktatura, duke mos e vrarë dot, e bëri më të fortë.

Banorët e fshatrave e kanë marrë veten. S'të begenisin. S'ta kanë ngenë. Kanë drejtuar kurrizin. Janë të zënë me punë nëpër vila, vreshta, ullishta.

Ku gjithçka ësht e bukur dhe asgjë s'ësht larg, turizmi nuk do dali nga moda as për 100 mijë vitet e ardhshëm.

449 kilometra. 13 orë pa 10 minuta - ishte një udhëtim i bukur si muzikë pa tekst. Prandaj dhe e vështirë për tu shkrujtur.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vajsi: 23/04/2025 19:59

    E ke qarè.telumte mendja, RESPEKTE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?