TIRANË- Të përjashtohet nga radhët e Policisë pa kthim dhe të dalë para drejtësisë. Ky është reagimi i kryeministrit Edi Rama për efektivin e Policisë së Dibrës, Ardian Isufi, i cili bashkë me mikun e tij dhunoi një kamerier 18-vjeçar në një hotel në Vlorë.
Jo vetëm kaq, por përgjegjësia e efektivëve para ligjit do të rritet me reformën e re për kontrollin e territorit. Kryeministri shkruan se policëve apo punonjësve të tjerë të shtetit s’do tu tolerohet asnjë shkelje që cenojnë komunitetin apo qytetarin.
“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cenojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit", shkruan Rama.
Rama sqaron se në reformën e re parashikohet ndjekje penale dhe përjashtim nga detyra për një numër të konsiderueshëm vitesh për të gjithë punonjësit e shtetit në rast se zotërojnë një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo shfrytëzojnë një hapësirë publike për të nxjerrë fitim.
“Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim, përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë do të ndiqet penalisht dhe do përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh”, sqaron Rama.
Një episod dhune në një hotel në Vlorë, ka marrë sot vëmendjen e gjithë opinionit publik. Një kamerier u dhunua për një shishe ujë nga një polic dhe miku i tij. Polici Isufi u pezullua nga detyra, ndërsa policia ka nisur hetim edhe për personin tjetër që dhunoi kamerierin, si edhe pronarin e hotelit dhe një gazetar që u përfshinë në konflikt.
Postimi i kryeministrit Rama
Nisma ‘Shqipëria Bëhet’ ka reaguar lidhur me dhunën e ushtruar nga efektivi i Policisë së Dibrës, Ardian Isufi, ndaj një kamerieri 18-vjeçar në një hotel në Vlorë, së bashku me mikun e tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, nisma ‘Shqipëria Bëhet’ thotë se kjo ngjarje tregon dështimin institucional dhe kërkohet ndëshkimin penal për të gjithë autorët e dhunës.
‘Ngjarja tronditëse e ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një drejtues policie, i shoqëruar nga një person me probleme me ligjin, ushtrojnë dhunë brutale ndaj një kamarieri të mitur, është shuplaka më e rëndë që merr çdo qytetar që ende ka iluzionin se ky shtet e mbron të pafajshmin. Është një pasqyrë e qartë e dështimit institucional dhe mosndëshkueshmërisë së kultivuar ndër vite në radhët e shtetit shqiptar. Është një akt dhune, që rrjedh nga një sistem që ka lejuar degradimin e figurës së drejtuesve me uniformë në një simbol frike, jo mbrojtje e shërbimi', thuhet në reagim.
Sipas nismës ‘Shqipëria Bëhet’ duhet reformim i thellë në polici.
'Drejtues policie që shoqërohen me elementë kriminalë dhe që përdorin uniformën për t'i shërbyer interesave personale, janë pasqyrë e realitetit që prodhon ky sistem i kalbur. Ai fëmijë, sepse po, është vetëm një fëmijë, ishte në vendin e tij të punës, duke përballuar me ndershmëri jetesën në një shoqëri që promovon pandershmërinë dhe keqpërdorimin e funksioneve shtetërore. Në këtë ngjarje nuk kemi të bëjmë me një incident. Kemi të bëjmë me bashkëpunim të hapur mes policisë dhe krimit. Kemi të bëjmë me shtet të rrënuar moralisht, që nuk ka më as kufij midis rendit dhe rrënimit. Kemi të bëjmë me një shtet që në vend që të mbrojë, të dhunon sistematikisht. Ne si Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, kërkojmë me forcë: Ndëshkim penal të menjëhershëm për të gjithë autorët e dhunës dhe shkarkim të menjëhershëm të efektivit të policisë. Është qartësisht e dukshme tashmë se nevojitet një reformim i thellë institucional në Polici. Ky institucion duhet të ndahet nga varësia politike, e cila i shpërblen me poste më të 'devotshmit' e vet në radhët e uniformave blu’, tha ai.
Komente

Po per ate kriminelin kur do reagoje shteti? Qelloi djalin me grusht tre here!!!! Eshte me precedent penale ai horr!
PërgjigjuPse te rijte largohen nga shqiperia? Ketu fitojne me shume. Asnjeher se kuptoj pse largohen nga ky vend i mrekullueshem.
PërgjigjuBëja siç ma bëre mua.....
PërgjigjuKapi mor pe bothet icta hajvana me uniform!
PërgjigjuJo perjashtim por burg!!! Te arrestohet urgjent. Ky eshte shteti dhe ky perfaqeson ju e qeverine tuaj!! Nqs ky nuk arrestohet do te thote se ju jeni pale me dhunen dhe kriminelet! Polici duhet te arrestohet se pari sepse eshte ne shoqerine e nje krimineli dhe pastaj per gjithe agresionin prej shpellari qe sduhet te guxonte nje civil e jo me nje punonjes i administrates!!!! BURG per kriminelat!!!!
Përgjigju