Egnatia dhe Laçi luajnë të premte në orën 13:30 në stadiumin e Rrogozhinës. Dueli vlen për raundin e 20-të në Superligës, teksa vendasit e mbyllën vitin 2024 me tre trofe të fituar dhe janë superkampionët e vendit.
Në prag të ndeshjes kundër kurbinasve për mediet foli trajneri i Egnatias, Edlir Tetova. Ai e vendosi theksin te mbrojtja e titullit dhe konfirmoi se Malota dhe Aleksi do mungojnë për shkak të kartonave.
"Mbas pushimit, kampionati rikthehet shpejt. Këto pushime ishin pak për ne, pasi kur ekipet e tjera ishin pushim ne vijuam me përgatitjet për finalen e Superkupës (e fituar kundër Kukësit 2-0). Kampionati për ne është për t'u luajtur dhe pushimet i shohim më pas.
Jeni kampion i trefishtë, si ndiheni? Kemi marrë frytin e dy viteve punë, secili ka marrë çka meritonte nga i pari deri te i fundit i punës. Kemi merituar gjithçka.
Gjendja para rikthimit - Jemi në gjendje shumë të mirë. Do kemi dy mungesa për shkak të kartonave, Malotën dhe Aleksin. Pjesa tjetër e ekipit është në rregull, edhe afrimet e reja janë në formë.
Prisni Laçin - Është një ndeshje goxha e vështirë për ne. Ndeshjen e parë në Laç nuk u paraqitëm mirë, ne kemi forcën dhe të marrim më të mirën. Pas fitimit të Superkupës kemi besim te klubi dhe lojtarët, por kampionati është ndryshe.
Synimet pas tre trofeve - Duhet të ruajmë titullin, kjo është kryesorja. Grupi është i plotë dhe kemi zëvendësuar lojtarët e larguar, Fernando e njeh lojën sepse rikthehet pas gjashtë muajve.
Keni nevojë për afrime? Do bëj më të mirën me lojtarët që kam në dispozicion. Çdo ekip ka ulje-ngritje, tani na duhet më shumë kujdes sepse nuk lejohen hapa fals", tha Tetova.
Pas 19 javësh, Egnatia me 30 pikë pozicionohet në vendin e katërt, ndërsa Laçi me 20 pikë në pozitën e shtatë.