Arsoela duke punuar me grep, Foto:Courtesy Image

FOTOT/ Ekonomistja zgjedh artizanatin pas 15 vjetësh karrierë

29 Korrik 2023, 12:53| Përditesimi: 29 Korrik 2023, 13:01

  • Share

Shumë sfida, por edhe shumë kurajë dhe vullnet për t’i përballuar ato. Arsoela Goxhaj, 37 vjeçe nga Vlora, thotë se janë të papërshkrueshme dhe të paimagjinueshme sfidat me të cilat përballet çdo ditë.

Asaj iu desh të eksperimentonte për të gjetur zgjidhjen e duhur për të qenë pranë djalit të saj me spektër autik, e njëkohësisht të siguronte edhe të ardhura për familjen. Studimet e larta i ka përfunduar për mësuese dhe përkthyese e gjuhës angleze, ndërsa studimet master për menaxhim biznesi.

Për 15 vjet ka punuar si ekonomiste, përkthyese, koordinatore dhe menaxhere e burimeve njerëzore, në sektorin publik dhe atë privat. Prej disa muajsh, atë mund ta shohësh duke punuar në ambiente të ndryshme dhe njëkohësisht duke u kujdesur për djalin e saj. “Punë e re” e saj janë punimet me grep.

Sfidat e një dite, të paimagjinueshme

“Kam zgjedhur që të punoj nga shtëpia apo çdo lloj ambienti ku ndodhem, autobus, lulishte, plazh... sepse kjo punë bëhet nga çdo lloj vendi që ti dëshiron. Arsyeja kryesore që e kam zgjedhur, është që të kem pranë djalin tim 13 vjeç, që është me spektrin e autizmit. Bruss ka nevojë për shërbime, për ndihmë në nevojat e tij më bazike, ndaj duhet t’i qëndroj pranë. Kështu i kryej të gjitha punët njëkohësisht”, thotë Arsoela.

Përveç Brussit, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë edhe një djalë 7 vjeç.

“Brussi është një fëmijë unik, special dhe nuk mund të ketë një tjetër si ai. Ndërsa Noeli, këtë vit, hyn në klasë të parë. Ka qenë e vështirë për t’i menaxhuar të dy dhe njëkohësisht të isha tetë orë në punë. Deri në prill të këtij viti kam qenë e punësuar me kohë të plotë. Ka qenë shumë e vështirë të menaxhohej jeta dhe nevojat e fëmijëve. Prandaj, vendosa të merrem me diçka që mund të kryhej në mënyrë fleksibël”.

“Sfidat që kam në një ditë të zakonshme, nuk mund të përshkruhen dhe imagjinohen. Brussi është edhe joverbal dhe unë, shumicën e kohës, duhet të komunikoj me të nëpërmjet shikimit. Duhet të bëhem ndërmjetëse mes tij dhe fëmijëve të tjerë, mes tij dhe prindërve të këtyre fëmijëve, që e kanë të vështirë apo nuk dëshirojnë të kuptojnë që të gjithë jemi të ndryshëm”, thotë 37-vjeçarja që nuk e humb për asnjë çast buzëqeshjen dhe energjinë pozitive.

Shporta me livando, e preferuar si dhuratë

Punimet me grep i ka nisur në shtator të vitit 2021. Studimet që ka kryer si menaxhere biznesi, e ndihmuan ta orientonte shitjen e këtyre punimeve online, përmes rrjeteve sociale. Ajo kishte parë me vëmendje se kishte një interes të shtuar për punimet me dorë, kryesisht ato me grep, të cilat reklamoheshin online. Kështu që vendosi ta bënte të njëjtën gjë me punimet e saj me grep, që në fillimet e saj ishin kryesisht shporta të vogla.

“Duke parë tendencën që pati në internet dhe shitjet online për këtë lloj punimi dhe duke vënë re se konkurrenca u rrit, mendova se si t’i jepja më tepër vlerë kësaj shporte të vogël, veçse për të mbajtur lapsat kozmetikë, apo shishet e verës, apo për ta mbajtur gotën të ngrohtë... Mendova për livandën e Koplikut, pasi jam shumë e dashuruar me produktet vendase, e fokusuar tek ato të qëndrueshme organike. Kështu që krijova edhe shportat me lule livandoje, që kërkohen shpesh si dhurata”, thotë Arsoela.

“Veç dëshirës për të siguruar të ardhura duke qenë pranë familjes, kjo lloj pune për mua është një terapi qetësuese, e kam si anti-stres, si relaks”, shprehet ajo.

Deri në 25 orë punë për një çantë me grep

Më pas mendoi se përveç këtyre shportave, mund të kishte interes edhe për çanta të thurura me grep. Ky lloj punimi i merrte më shumë kohë, por edhe i siguronte më shumë të ardhura.

“Varion - nga 2 orë për të prodhuar një çantë, deri në 20 apo 25 orë, në varësi të detajeve. Ka qenë produkt i shitur këtë periudhë dhe i vlerësuar, qoftë për dhurata, qoftë për përdorim personal... Klientët e mi janë kryesisht në Shqipëri, sepse nuk kam mundur ende të siguroj treg jashtë vendit”, thotë Arsoela.

Ajo tregon se shitjet i bën kryesisht online, ndërsa prej nëntorit të vitit të kaluar merr pjesë edhe në panaire që zhvillohen Vlorë. Ajo ka nisur të shesë edhe në Lungomare - shëtitoren kryesore të qytetit bregdetar - ku bashkia ka mundësuar një hapësirë për artizanët. Arsoela thotë se në Shqipëri është shumë e vështirë, qoftë për të gjetur treg, qoftë për të mbajtur vlerën që ka puna artizanale./REL

 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?