Politikë

EKSKLUZIVE/ Berisha thotë se po i paguan lobimin 6 mln dollarë në SHBA, fondacioni MAGA u krijua vetëm 7 ditë para kontratës! Zyra vilë 2 mln $! Misteri për firmën e Secit (DOKUMENTET)

28 Prill, 14:03| Përditesimi: 28 Prill, 16:03

  • Share

“Make Albania Great Again”, është fondacioni amerikan, i cili sipas Partisë Demokratike ka marrë përsipër të paguajë 6 milionë dollarët e lobimit në Shtetet e Bashkuara. Partia Demokratike nuk dha asnjë detaj mbi këtë organizatë, por Report TV ka zbuluar se në fakt, ajo është krijuar vetëm 7 ditë para se Flamur Noka të vendoste firmën e tij, në kontratën marramendëse me kompaninë CONTINENTAL, e zotëruar dhe drejtuar nga njerëz pranë presidentit Donald Trump. 

Firma e Flamur Nokës, 4 prill 2025

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht dokumente, që vërtetojnë se “Make Albania Great Again”, është regjistruar si Organizatë Jofitimprurëse më 27 mars 2025.  Themeluesi i saj është shqiptaro amerikani Nuredin Seci, i cili do të jete dhe garantori i kontratës. Fondacioni, qartazi duket të jetë krijuar për të mbuluar marrëveshjen e lobimit. Kërkesa drejtuar pikërisht kompanisë “Continental Strategy LLC”, ka pasuar menjëherë aktin e krijimit të fondacionit. Sepse vetëm 3 ditë më pas, Seci, mori përgjigjen nga kompania e lobimit se ishte e gatshme të angazhohej në shërbime për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Dhe 5 ditë më pas, më 4 prill Flamur Noka firmos si përfaqësuesi i Aleancës për Shqipërinë Madhështore. 

Dokumenti me të dhënat e themelimit të fondacionit MAGA

Një tjetër detaj shumë domethënës për fondacionin e krijuar nga Seci janë adresat. Në këto dokumente fondacioni “Make Albania Great Again” është regjistruar në adresën “65 Ëoodland Road Ëoodcliff Lake, NJ 07677”. Me një kërkim në internet kjo adresë të çon pikërisht te kjo super vilë në Nju Xhersi, luksoze, me 10 dhoma dhe e dekoruar së fundmi .

Vila e deklaruar si adresa e "Make Albania Great Again"

Ajo që e bën  më interesante është fakti se kjo vilë është shitur plot 2 milionë dollarë tetorin e vitit 2023, nga një agjente shitjeje me emrin Valbona Seci, pra një zonjë me origjinë nga Tropoja dhe me të njëjtin mbiemër si Nuredin Seci, e cila është edhe ndjekëse e tij në facebook. 

Valbona Seci, shitëse e vilës 2 milionë dollarë

Në regjistrimin e “Make Albania Great Again” si fondacion në SHBA, edhe adresa e Nuredin Secit jepet e njëjtë me atë të fondacionit.

Adresa e Fondacionit MAGA dhe adresa e Nuredin Secit

Kjo adresë është e ndryshme nga një tjetër që të paktën ka pasur më herët Nuredin Seci. Në këtë dokument të siguruar ekskluzisht nga Report Tv, është edhe kjo padi e bërë më herët nga Seci, në vitin 2018, ku siç duket qartë adresa e tij në një lagje tjetër të Neë Xhersi. 

Në këtë padi, në Shtetet e Bashkuara, është edhe firma e tij. Siç duket ajo është shumë më ndryshe nga firma që ai ka vendosur në kontratën e PD, ku del si garant i pagesës marramendëse 6 milionë dollarëshe. 

Dy firmat e Nuredin Secit, lart në kontratën e PD dhe e dyta në padi në vitin 2018

Nga dokumentet që Report Tv disponon, përveç emrit të Nuredin Secit, nuk ka asnjë emër tjetër si themelues. Ndërkohë që duhet rikujtuar se nga momenti që një fondacion financon një forcë politike, edhe përmes një kontratë lobimi, janë të detyruar të deklarojnë anëtarët dhe donatorët sipas ligjeve edhe në Shtetet e Bashkuara por edhe në Shqipëri. Pra, mbetet e errët fakti se kush e financon dhe ku i gjen paratë një fondacion i cili tre ditë pas themelimit ka arritur të mbledhë një shifër të tillë, të jashtëzakonshme.

Kujtojmë se në kontratën e lobimit të Partisë Demokratike me njerëzit e afërt të Trump, nuk gjen ndonjë gjurmë të fondacionit “Make Albania Great Again”, që PD thotë se do t’i paguajë faturën super të kripur të lobimit. Garantuesi financiar, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Tropoja, Nuredin Seci rezulton anëtar kryesie i shoqatës Vatra në Neë Jersey, koordinator i një gazete për Alpet, dhe pa ndonjë aktivitet që të justifikojë një donacion kaq të madh, qoftë edhe si një prej kontribuuesve.

Për këtë kontratë, që ka nxitur një furtunë në politikën shqiptare, për pikat e errëta dhe dyshimet që lë pas, Prokuroria e Posaçme njoftoi se nisi hetimet kryesisht. Tashmë përmes hetimit do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare.

Sa i përket kompanisë amerikane që ka marrë përsipër lobimin për Berishën, në Continental Strategy një prej drejtuesve është edhe vajza e shefes së fushatës së Trump, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është shefi i fushatës elektorale te PD. Sipas kontratës thuhet se  në total për dy vite Berisha duhet t’i paguajë kompanisë 6 milionë dollar, 250 mijë dollarë në muaj. Zbulohet se PD ka parapaguar kompaninë amerikane me 750 mijë dollarë.

Kontratën e ka firmosur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltari i presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.

Kliko këtu për të lexuar kontratën e lobimit të PD

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xeni dhe Argitha: 28/04/2025 14:38

    "Paret do ti paguajne emigrantet shqiptar te Amerikes..UURRRRRRAAAAAA!Babai tashme eshte i pastruar."

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?