TIRANË- Gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka thyer heshtjen për herë të parë, duke folur nga qelia, ku është izoluar me kërkesë të SPAK që në 11 shkurt 2021, pasi u arrestua në sallën e gjyqit teksa po lironte vrasësin e radhës nga burgu. Shqiptarja.com zbardh rrëfimin e gjyqtares së Krujës për Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke dhënë versionin e saj për lirimin nga burgu të Indrit Dokles dhe Hekuran Billës, që të dy të dënuar me burgim të përjetshëm. Gjyqtarja pranon se ka kryer shkelje, kur ka liruar nga burgu në shkurt të 2019 Hekuran Billën, i cili u vra në qershor 2020.
Duke pranuar pjesërisht gabimin, Enkelejda Hoxha ka kërkuar një marrëveshje me kreun e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, duke pranuar që të ndëshkohet me një masë disiplinore të lehtë, por jo me shkarkim nga detyra. Ky propozim nuk është pranuar nga kreu i ILD-së, i cili i ka kërkuar KLGJ-së të shkarkojë gjyqtaren nga detyra, pasi ka liruar jo dy, por pesë të dënuar, duke në shkelje flagrante të ligjit.
Ndërsa për lirimin e Indrit Dokles, gjyqtarja Enkelejda Hoxha thotë se e ka marrë vendimin bazuar në dokumentacionin e përcjellë nga burgu i Fushë-Krujës, ku përfshihet konkluzioni i mjekut se i dënuari kishte probleme shëndetësore, raporti pozitiv i shërbimit të provës në Krujë dhe i gjithë dokumentacioni i parashikuar në ligj. Me këtë qëndrim, Hoxha zgjeron rrethin të të implikuave në biznesin e lirimit nga burgu të ish-krerëve të bandave.
Për të dy rastet në fjalë, gjyqtarja e Krujës thekson se prokurori i çështjes dhe kryeprokurori i Krujës nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimeve të saj. Bëhet fjalë për Prokurorin Bujar Memia, për të cilin ILD ka kërkuar gjithashtu që të shkarkohet, pasi ka heshtur për lirimin nga burgu të të dënuarave para afatit.
Ndërkaq, në rrëfimin e saj, Enkelejda Hoxha thotë se edhe gjyqtarë të tjerë kanë liruar në të njëjtën mënyrë të dënuar nga burgu para kohe, por sipas saj, këto raste nuk janë trajtuar as nga mediat dhe as nga organet e drejtësisë. Hoxha ndalet në disa raste konkrete.
Në vijim, gjyqtarja Enkelejda Hoxha thotë se ka pasur disa problematika familjare, duke u përlotur, por që nuk kanë ndikuar në detyrën e saj. Gjyqtarja ndalet edhe tek komentet e politikës pas arrestimit të saj nga SPAK, ndërsa u kërkuar anëtarëve të KLGJ-së që të mos ndikohen dhe intimidohen, por të gjykojnë me objektivitet.
Rrëfimi i Enkelejda Hoxhës
“Në pamundësi të paraqitjes së materialeve për shkak të situatës, në të cilën ndodhem, pasi jam në paraburgim që nga data 11 shkurt 2021, kërkoj të relatoj si më poshtë: Sa i përket pretendimeve të ILD për lirimin e dy shtetasve, të dënuarit Indrit Dokle dhe të dënuarit Hekuran Billa, kërkon të parashtroj sa më poshtë:
Shqyrtimi i kërkesës me objekt aplikimi i dënimit alternativ, qëndrim në shtëpi, është bërë duke iu referuar dokumentacionit shkresor të përcjellë nga IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, nga administrimi i dokumentacionit mjekësor, dhe konkretisht nga administrimi i kartelës klinike administruar nga ky institucion, nga mjeku përkatës i atashuar pranë IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, i cili në shpjegimet e tij të përshkuara në këtë dokumentacion përkatës, ka evidentuar problemet shëndetësore, të cilat ai ka pasur nga momenti që është akomoduar pranë këtij institucioni.
Gjithashtu, gjykata, në shqyrtimin e kësaj kërkesa penale, ka administruar edhe raportin e përcjellë nga zyra e shërbimit të provës Krujë, e cila pasi ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin përkatës dhe të marrjes së të dhënave plus intervistimit të familjarëve të të dënuarit, ka paraqitur një raport pozitiv, duke u shprehur dakord me kërkesën për qëndrimin e të dënuarit në shtëpi.
Dua të theksoj para jush se ky vendim është i formës së prerë, pasi as prokuroi i çështjes dhe as titullari i këtij institucioni nuk e ka ushtruar ankimin ndaj këtij vendimi.
Sa i përket rastit tjetër (Hekuran Billa), të trajtuar në raportin përkatës, kemi pranuar pjesërisht kryerjen e shkeljes dhe që më pas, në përputhje me nenin 135 të ligjit nr. 96/2016, të propozonim marrëveshjen e përbashkët për masë ndëshkimore, e cila sigurisht nuk duhet të ishte ajo ekstreme. E them këtë pasi në rastin konkret, lirimi i të dënuarit nuk solli as pasoja apo dëme lirimi i tij, pasi që nga momenti kur i dënuari është liruar nga shkurti i vitit 2019 deri në çastin kur është vrarë, nuk është përfshirë në asnjë ngjarje apo vepër tjetër penale.
Gjithashtu lirimi i tij është bërë mbi bazën e dokumentacionit përkatës së sjellë nga IEVP-në (burgu) Fushë-Krujë, ku i gjithë dokumentacioni ka qenë pozitiv në të gjitha rubrikat përkatëse të vlerësimit të sjelljeve, përcjellë nga ana e institucionit ku ai vuante dënimin. Dokumentacioni u përcoll tek zyra e shërbimit të provës Krujë, e cila ka paraqitur një raport pozitiv sa i takon lirimit të këtij të dënuari para kohe.
Përsëri në rastin konkret, aq prokurori i çështjet dhe as titullari i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, nuk ka ushtruar ankim, duke bërë që vendimi përkatës të jetë i formës së prerë.
Lidhur me trajtimin që i është bërë këtij gjykimi, mund të them me bindje se trajtimi në raportin e ILD-së, është i veçuar, pasi edhe në gjykatat e rretheve të tjera gjyqësore, janë shqyrtuar, gjykuar dhe pranuar kërkesa për lirim para kohe me kusht të të dënuarve të tjerë, të cilët edhe pse nuk kanë pasur fatin e Hekuran Billës dhe kanë kryer vepra të tjera penale, as institucionet përkatëse nuk kanë incizuar procedime disiplinore, dhe as mediat e shkruara apo vizive nuk janë ndalur në këto raste apo nuk kanë komentuar gjyqtarë apo prokurorë konkretë.
Kemi pasur edhe raste të tjera lirimi të të dënuarve, të cilët kanë pasur këtë fat. Konkretisht, i dënuari me inicialet A. K, banues në Shkodër, ku lirimi i tij pas solli ngjarjen tjetër, ku pas një jave ky shtetas është vrarë. Lirimi i tij është bërë nga një gjyqtare tjetër, jo nga unë. Dhe as mediat dhe as institucionet e drejtësisë nuk e kanë trajtuar këtë rast.
...që nga muaj tetor i vitit 2004, unë punoj pranë Gjykatës së Krujës dhe prej 17 vitesh jam angazhuar maksimalisht për të ushtruar profesionin dhe detyrën time si gjyqtare. Kam gjykuar me përgjegjshmëri dhe në zbatim të ligjit të gjitha çështjet që më janë caktuar për të gjykuar. Kam qenë korrekte dhe gjithmonë prezence në punë, duke mos munguar asnjë ditë në punë. Jam sjellë me etikë si me kolegët apo me stafin e gjykatës, edhe me palët në proces, duke mos pasur asnjë situatë konfliktuale apo debat që mund të lidhe me ushtrimin e detyrës.
Përgjatë gjithë viteve kam përballuar ngarkesë të madhe në gjykimin e çështjeve, e cila mund të shihet shumë qartë në çdo analizë vjetore.
Me gjithë vështirësitë dhe problematikat familjare që kam patur, pasi jam një nënë e vetme që rris dy fëmijë, një 9-vjeçar, i cili vuan nga sëmundja e autizmit dhe vajzën 13-vjeçare, duke qenë nënë edhe baba për ta. Në asnjë moment nuk kam anashkaluar apo neglizhuar punën time.
Ashtu si edhe familja, e cila është e shtrenjtë për mua dhe janë jeta ime, sigurisht që puna është jeta ime. Ndaj, unë do të doja të kërkoja nga ana juaj që të gjykoni me objektivitet të pandikuar apo intimiduar nga komentet mediatike, nga komentet e përfaqësuesve politikë, të cilat sigurisht që kanë qenë të padrejta, duke më etiketuar me shprehje që nuk më përkasin mua. Ndaj unë do të doja që të vlerësoni dhe të gjykoni me objektivitet këtë kërkesë dhe këtë proces”.