Presidenti i Dhomës së Deputetëve në Itali, Roberto Fico, ka shprehur edhe një herë qëndrimin e fortë të Italisë së është koha që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i hapen sa më parë negociatat me Bashkimin Europian. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për ‘Studio Live’ në Report Tv, Fico shprehjet se të dy vende e meritojnë këtë hap dhe se Italia do të punojë edhe më tej për integrimin e Shqipërisë në BE.
I pyetur nga gazetari Arbër Hitaj për një koment në lidhje me nismën ‘Ballkani i Hapur’, Kryeparlamentari Fico deklaron se nismat që çojnë në bashkëpunim rajonal është mirë të mbështeten.
“Konferenca që mund të çojnë në bashkëpunim, dialog dhe stabilitet, mirë është që mbahen. E rëndësishme është që të jenë formate që me tej realisht të funksionojnë”, tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, Presidenti i Dhomës së Deputetëve në Itali, Roberto Fico.
Intervista e plotë për Report Tv:
Jeni për herë të parë në Shqipëri? Apo keni qenë dhe më parë, impresionet tuaja?
Kam qenë edhe herë të tjera, por ketë radhë jam në vizitë shtetërore. Përshtypjet janë se Shqipëria është një vend, që ka shumë dëshirë për të ecur përpara, për të punuar, dhe të jetë protagonist. Por edhe një vend që ka dëshirë të shikojë drejt Bashkimit Evropian, drejt Italisë, ne jemi si dy vende si vëllezër.
Ju keni takuar kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, Presidentin Ilir Meta, dhe kryeministrin Edi Rama, cili është qëllimi politik i kësaj vizite që preku të gjitha nivelet e larta institucionale?
Qëllimi politik i vizitës është forcimi i raporteve me Shqipërinë. Unë sot firmosa një protokoll special, me parlamentin shqiptar. Nga sot raportet tona forcohen edhe më shumë, në disa aspekte si ajo e integrimit evropian, për sigurinë. Do të zgjidhen 5 deputetë italianë, dhe 5 shqiptarë, që do të punojnë së bashku për shumë tematika. Pra është një ditë e rëndësishme.
Gjatë kësaj vizite nuk keni pasur takime me përfaqësues të partisë më të madhe në opozitë atë demokratike. A keni folur gjatë takimeve për krizën që po kalon partia demokratike?
Unë kam folur për këtë çështje me zv. kryetarin e parlamentit, gjatë drekës me kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të opozitës. Gjatë takimit folëm për shumë gjëra, por pa hyrë në specifikat e çështjeve të partive politike të Shqipërisë.
Shqipëria prej 3 vitesh tashmë, por pret një datë për mbajtjen e takimit të parë ndërqeveritar me Bashkimin Evropian për të hapur zyrtarisht dhe negociatat. A besoni se ky mund të jetë edhe viti i duhur?
Unë shpresoj dhe Italia do të punojë shumë për këtë. E kam ngritur si çështje në takimin pre kryetarëve e Parlamenteve Evropiane dhe besoj është rruga e duhur. Pas 24 shkurtit, unë besoj se bota ka ndryshuar dhe Ballkanik Perëndimor është kthyer në një pikë të rëndësishme gjeopolitike për Bashkimin Evropian dhe të gjithë duhet ta kuptojnë këtë.
Në orët në vazhdim ju do të vizitoni Maqedoninë e Veriut, a duhet të jenë kaq të lidhura fatet e vendeve tona dhe a duhet të ndahet Shqipëria, një iniciativë që mund të marrë jetë së shpejt nga qeveria?
Unë do të bëja ndryshe pyetjen, si ka mundësi që me luftën që kemi në Ukrainë, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë filluar negociatat zyrtare me Bashkimin Evropian. Kjo duket e pamundur. Por është një çështje që duhet të marrë zgjidhje brenda Unionit. Unë besoj se sot koha është që kjo të bëhet sa më parë.
Përse duket disi e vështirë integrimi i Ballkanit Perëndimor krahasuar me 10 vite më parë?
Është e qartë se nëse ne nuk japim përgjigje të rëndësishme ndaj interesit të popullsisë shqiptare që kërkon shumë të bëhet pjesë e Unionit do të thotë që ne jemi duke tradhtuar një ëndërr. Ne duhet që ketë ëndërr ta kultivojmë bashkë. Dhe besoj se koha është maturuar për ta bërë këtë.
Një ditë më parë Serbia mori armatime nga Kina, a ju duket normale kjo gjë? A besoni se vonesat në vendimmarrje nga Brukseli, mund ta favorizojnë aktorët e tjerë gjeopolitikë në rajon?
Secili nga shtetet do të hedhë hapat e vet pa asnjë nxitim.
Një pyetje tjetër për ‘Open Balkan’, që vjen me iniciativën e Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë së Veriut, a e njihni?
Opinion im është se edhe këto konferencat rajonale, që mund të çojnë në bashkëpunim, dialog dhe stabilitet, mirë është që mbahen. E rëndësishme është që të jenë formate që me tej realisht të funksionojnë.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, a jeni dakord me vendimin e qeverisë italiane për t’i dhënë armë Ukrainës dhe çfarë mendoni për idenë për të bllokuar importimin e gazit rus në Itali?
Po unë e mbështeta dërgimin e armatimeve në Ukrainë, pasi besoj se populli ukrainas ka të drejtën të mbrohet. Italia po punon për tu shkëputur përfundimisht nga varësia e gazit rus, duke diskutuar për marrëveshje me shtete të tjera.