Sociale

EKSKLUZIVE/ “Odisea” e ndotjes me naftë në Vjosë, AKM gati gjobën e radhës! Por në tre vite Albpetrol mori 50 mijë euro gjoba dhe 6 'ultimatume’ dhe asgjë s’ndryshon

20 Korrik, 11:42| Përditesimi: 20 Korrik, 12:05

  • Share

Ndërprerje urgjente të shkarkimeve, gjobë administrative prej 2 000,000 lekësh të reja dhe detyrim për marrjen e masave rehabilituese dhe korrigjimin e shkeljeve. Këto janë masat e parashikuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për shoqërinë Albpetrol, nga një stacion i së cilës në Gorisht të Selenicës vetëm pak javë më parë u derdh naftë në zemër të lumit Vjosa. 

Pas një inspektimi të bërë më 30 qershor, 3 ditë pasi Report Tv publikoi krimin e rëndë mjedisor, AKM ka marrë këtë vendim të ndërmjetëm (dokumenti) duke urdhëruar Albpetrolin “të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme çdo rrjedhje të ujërave teknologjike të përziera me hidrokarbure, që vijnë nga argjinaturat e depozitave apo tubacioneve të cilat më pas përfundojnë në përrua dhe më pas në lumin Vjosa”. Për këtë afat kompanisë i lihet 30 korriku. Pas këtij afati, sipas procedurave ligjore, do t’i komunikohet edhe gjoba 2 milionëshe.

Në përgjigje të një kërkese për informacion të Report Tv, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thotë se derdhja e naftës në Vjosë ndodh për shkak se në Gorisht Albpetrol ka depozita të vjetra me rrjedhje të lëndëve hidrokarbure; tubacione të korroduara dhe të dëmtuara që shkaktojnë rrjedhje, struktura të dëmtuara mbrojtëse apo edhe rrjedhje të vazhdueshme. (përgjigja për Report Tv)

Por a do ta zgjidhë gjoba dhe urdhri i korrigjimit situatën e ndotjes në zemër të Vjosës? Kjo nuk është hera e parë që masa të tilla merren ndaj Albpetrol, përkundrazi kompania e naftës duket se është mësuar me ndëshkime. Report Tv ka siguruar dokumentet e 5 inspektimeve të mëparshme të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në të njëjtin vend, për të njëjtën problematikë: në Gorisht Albpetrol derdh naftën në ujërat e Vjosës. Plot 50 mijë euro, përmes katër gjobave, kishte marrë Albpetrol-i, nga 7 tetori 2022 deri më 16 tetor 2024, para se të ndoste sërish Vjosën këtë qershor.

Gati 3 vite më parë, në një dokument të miratuar pas inspektimit të 7 tetorit 2022, përveç gjobës 500 mijë lekëshe (ose 5 mijë euro), Mjedisi e urdhëronte që “Subjekti të ndërpresë menjëherë shkarkimin e ujërave të ndotura me hidrokarbure. Të kryej rehabilitimin e zonës së ndotur” (inspektimi  7 tetor 2022)

Situata thuajse ‘Deja Vu’, edhe pas një viti, në tetor 2023. Ndotja vazhdon dhe AKM inspekton sërish. Gjoba këtë herë është 2 milionë lekë të reja (ose mbi 20 mijë euro), ndërsa urdhri është identik me atë të një viti më herët:  Operatori ALBPETROL Sh.a me aktivitet ne Gorisht, Vllahine, bashkia Selenice të ndërpresë menjëherë shkarkimin e ujerave te ndotura te patrajtuara me lende hidrokarbure ne toke dhe kanalizime. Operatori të kryej dokumentacionin mjedisor sipas kushteve të lejes mjedisore që disponon dhe t'i dorëzoj pranë AKM Tiranë sipas përcaktimeve të përshkruar në lejen mjedisore. (inspektimi 5 tetor 2023)

Por siç duket as 4-fshimi i gjobës nuk e ndërgjegjësoi Albpetrolin. Vetëm tre muaj më vonë, më 16 janar 2024 gjobitet 1.5 milionë lekë të reja, dhe sërish kërkesa për korrigjimin e shkeljeve të konstatuara. (inspektimi 16 janar 2024)

Dy inspektimet e radhës, janë në 16 tetor 2024 (inspektimi tetor 2024) dhe në shkurt 2025 (inspektimi shkurt 2025). I pari përfundoi me gjobë 1 milionë lekë ndërsa i dyti këtë herë pa gjobë, por ashtu si 2 vite rresht, me kërkesën për të mos ndotur më.

Një situatë që vazhdon dhe që paralajmëron se do të vazhdojë. Në masën e fundit AKM ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të aktivitetit deri më 30 korrik (inspektimi 30 qershor 2025) por pas kësaj sërish gjobë dhe asgjë tjetër? Pse masa e fundit, që nuk është më e fortë se të tjerat do të përmirësojë situatën? Përgjigja e kësaj pyetjeje mbetet për t’u verifikuar, nëse do të përfundojë apo do të vijojë me inspektimin e radhës të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, të shoqëruar me gjobën e radhës. Gjobat nga ana tjetër duket se nuk ndikojnë në kompaninë publike, pasi jo rrallë herë ka deklaruar vështirësi financiare dhe është mbështetur me para nga buxheti i shtetit.

Denoncimin e fundit për krimin mjedisor në Parkun Kombëtar të Vjosës e bëri fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, përmes një video të ndarë në rrjetet e tij sociale, i cili e përshkroi zonën e Vjosës si një “një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Përsëritja e ndotjes për vite me radhe tregon se lumi i fundit i egër në Evropë, ku jetojnë më shumë se 1000 lloje kafshësh dhe bimësh, kërcënohet seriozisht nga nafta që buron nga stacioni i Gorishtës në Selenicë.

GJOBAT NDAJ ALBPETROL
30 QERSHOR 2025      2 000 000 LEKË
21 SHKURT 2025          PA GJOBË
16 TETOR 2024            1 000 000 LEKË
16 JANAR 2024            1 500 000 LEKË
5 TETOR 2023              2 000 000 LEKË
7 TETOR 2022                 500 000 LEKË

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • five company: 21/07/2025 06:51

    Fotografia e lumit Vjose dhe natyres qe e rrethon, nuk ndryshon nga kronikat e pikturave ne Luver ose ne cdo Galeri arti boterore, ku natyra e qete dhe peisazhet piktoreske penelohen perjetesisht per te qendruar ne konturin e nuancave te ngjyrave te natyres. Por cfare ndodhi para 6 vitesh neper keto galeri??? " Huliganet e kolltukut" shtruan kerkesen e tyre autoritative: -" Perse nje Galeri arti duhet te paguaje 15 miljone $ per nje veper arti e cila perseri do ti nenshtrohet zinxhirit te ankandeve te shitjes me shuma marramendese dhe per cfare? Per nje " natyre te qete" qe ne natyralisht e kemi ekzistente dhe jo te " ndrydhur ne telajo" Keshtu hooligans e kolltukut pergatiten ca teneqe me urine, me fece, me salce, me mustarde, me BBQ, me berxolle dhe i hodhen ne per keto " telajo te ndrydhura". Post Scriptum: Pyetja qe shtrohet eshte te shpenzojme 15 miljone $ ne nhe natyre te gjalle pjese e ekosistemit dhe biodiversitetit apo ne nhe pikture te "vdekur, e ndrydhur ne telajo", ku e vetmja arome eshte e kimikateve te bojrave. Pergjigjia eshte ne analogji te kendveshtrimit natyral me artistik.

    Përgjigju
  • Iris: 21/07/2025 01:22

    Duket qe ketu kemi nje rreth vicioz.Kompania gjobitet me shuma qesharake per llojin e produktit qe nxjerr,shteti e ndihmon sa here eshte ne veshtiresi dhe besoj qe disa nga keto /ndihma/ shkojne per te paguar gjobat qe ja ve po i njejti shtet! Nese kjo strategji nuk ka funksionuar prej kaq shume vitesh,atehere duhet ndryshuar.Komenti i /ARBENIT/ me poshte,mu duk shume interesant e mjaft shpjegues profesionalisht.

    Përgjigju
  • Arbeni: 20/07/2025 19:14

    Unë kam punuar për 26 vjet në Gorisht edhe në të ashtuquajturin Dekantim nga ku mblidhet gjithë nafta e vëndburimit.Nafta është e përzier edhe me ujë të kripur.Nafta qëndron mbi ujë dhe mbasi mbushen vaskat punëtorët hapin tubacionet e vaskave dhe shkarkojnë ujin në gjëndje të lirë.Uji që del nga këto vaska derdhet në një përrua dhe nga përroi përfundon në Lumin Vjosa.Bashk me H2O dalin edhe copa nafte sepse nafta e Gorishtit është shumë viskoze e pasur me zift.Në muajt e dimrit nafta ngrin e ngjitet rrëpurave të përroit,por në muajt e nxehtë të verës nafta viskoze shkrin dhe uji i shkarkuar nga vaskat e çon atë në lumë.Kjo histori nuk është e re,por plit 60 vjeçare qëkur Gorishti u zbulua si zonë naftëmbajtëse.Po të shëtisësh puset e naftës ka gropa të mbudhura me naftë dhe ndotja është alarmante,është një katastrofë mjedisore.Uji që derdhet në lumin Vjosa është edhe me përmbajtje të lartë gazi metan me dhumë squfur gjë që nga Poçemi ku derdhen këto ujra me naftë e gjer në grykderdhje nuk e besoj se do ketë kokërr peshku të gjallë .Kështu që dëmi është i jashtzakonshëm.Ndërsa përsa i përket problemit të derdhjes së hidrokarbureve në gjëndje të lirë për mendimin tim nuk ka zgjidhje,Duhen investime të konsiderueshme për ta rifutur ujin përsëri në puset që nuk japin më naftë gjë që Albetroli nuk ka mundësi.Por tani edhe prodhimi i naftës nga vëndburimi i naftës Gorrisht-Kocul është minimal.Dikur në vitet 70 vendburimi prodhonte 1 milion ton naftë në vit,ndërsa tani uji ka hypur mbi naftën nga shfrytëzimi pa kriter i vëndburimit dhe në vënd të naftës del vetëm ujë.Me një fjalë Kompania Albpetrol nuk ka çfarë të bëj për të ndalur mbetjet hudrokarbure që derdhen në Vjosë,vetëm të ndalojë nxjerrjen e naftës.

    Përgjigju
  • Lushka: 20/07/2025 14:57

    Opo si do e zgjidhni por lejini gjobat... nuk i interesojne kujt gjobat qe vini cfare do beni me mjedisin se ekeni ber ha le cdo vend ne shqiperi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?