Ekskluzive/ Digjet sipërfaqja e parkut arkeologjik të Finiqit, shpëton amfiteatri dhe disa monumente! Shikoni pamjet me dron

9 Gusht, 12:18| Përditesimi: 9 Gusht, 19:19

  • Share

Qyteti antik i Finiqit i ngjan sot një oazi të bardhë në mes të shkretëtirës. Flakët përpinë një ditë më parë gjithë bimësinë e kodrës, por fatmirësisht monumentet në brendësi të parkut arkeologjik, si teatri antik dhe bazilika nuk janë dëmtuar. Këto janë pamjet me dron që sjell Report tv të premten, një ditë pas zjarrit dramatik në bashkinë e Finiqit.

Ne marrim përshtypjet e para nga një çift turistësh, të cilët janë të parët që vizitojnë parkun pas zjarrit.

“Mësuam për Finiqin në internet dhe menduam se ishte shumë interesante të vizitonim rrënojat antike. Eshtë më interesante se të shkosh në breg të detit sepse është vend me historic e kulturë. E pamë nga afër dhe ishte interesante për ne dhe për vajzën të shihje rrënojat e vjetra por më vjen keq për zjarret. Ka qenë zonë e gjelbër por sot është gri! Gjithsesi mbetet ende një vend shumë i bukur për t'u vizituar”, tha turisti.

“Është hera e parë që vizitojmë këtë vend, është shumë bukur. Më vjen keq që ka zjarre pyjore por megjithatë është një pamje e këndshme për ta vizituar kështu që po jam i lumtur që jam këtu”, u shpreh turistja.

Në verë nuk ka shumë lëvizje për shkak të temperaturave të larta dhe shtrirjes së gjërë të parkut, thanë përgjegjësit, por vizitohet më shumë në pranverë dhe vjeshtë.

Qyteti i lashtë i Finiqit, njohur si Foinika ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i shtetit të Epirit. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II para Lindjes se Krishtit.

Ndërsa në fshatin Finiq që gjendet në rrëzë të kodrës janë djegur 420 rrënjë ullinj si dhe pemë frutore. Aristotel Mitru drejtor i bujqesisë në bashki thotë se po kryhet bilanci i dëmeve.

“Janë 420 rrënjë me ullinj të djegura dhe 120 hektarë sipërfaqe pyjore. Nuk ka banesa të prekura nga flakët. Për dëmet në ullishte dhe pemë frutore do bëhet dokumentacioni dhe do t’ia dërgojmë prefekturës për dëmshpërblimin e banorëve”, tha ai.

Ndërsa pirromani që rrezikoi një ndër sajtet më të rëndësishme në vend ende nuk është indetifikuar. Burime policore thanë se zjarri dyshohet se është i qëllimshëm, nga ndonjë banor i zonës që ka dashur të djegë barishtet, por që shkrumboi masivin pyjor rreth parkut arkeologjik dhe ullishten. 

 

 

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?