Kritikave nga persona të ndryshëm që dalin në media apo edhe nga eksponentë të partive të opozitës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i është përgjigjur sot edhe me një mesazh për mediat.
Ajo apeloi që të kihet kujdes kur transmetohen të ashtuquajturit ekspertë që flasin për kolaps të sistemin shëndetësor në përballimin e situatës së pandemisë së COVID.
"Kam një lutje, rezistojini infodemisë, rezistojini atyre që thuhen në rrjete sociale por nuk janë konfirmuar nga ekspertët. Unë personalisht midis profesor Kalos që ka shëruar me qindra mijëra pacientë, midis mjekësve të familjeve që kanë ndjekur mijëra pacientë dhe një eksperti që nga divani i shtëpisë apo nga dritarja e Facebook-ut, apo nga karrigia e partisë zgjedh të hedhë baltë mbi punën e mjekëve, unë 1 milionë herë zgjedh mjekët. Është koha të zgjedhim eksperiencën dhe ekspertizën dhe duhet të zgjedhim shkencën përballë atyre që e përdorin pandeminë për arsye politike. Është koha e specialistëve të shëndetit. Nuk është koha e atyre që po të kishin dashur të jepnin një dorë do të shkonin në spitale dhe të hapin kontributin e tyre dhe nuk do të zgjidhin divanin e shtëpisë apo dritaren e Facebook.
Çfarë lloj eksperti mund të jetë një i cili 90 për qind të daljeve publike e shfrytëzon për të nxirë punën e kolegëve që janë në vijën e parë të frontit? Si mund të nxihet puna e mijërave punonjësve që nuk po flenë, nuk po shohin familjarët e tyre? Çfarë lloj eksperti është ai që 10 përqind flet për pandeminë me të lexuar e dhe 90 për qind i ka sharje për kolegët?
Nuk po flas këtu për politikanët e katastrofës. Nuk kanë këta politikanë të katastrofës eksperiencë në menaxhimin e pandemive, aq më shumë në menaxhimin e një pandemie në sistemin shëndetësor.
Ndjellja e frikës është armiku i madh në këtë moment. Unë e kuptoj shqetësimin e qytetarëve. Situata nuk është aspak ajo që përshkruhet në selitë e partitë, që po i kallin tmerrin njerëzve. Refuzojnë njerëzit të shkojnë në spitale nga ajo çka selitë e partive flasin. E dimë çfarë do të thotë kolaps? Do të thotë të shtrihen njerëzit korridoreve dhe të mos marrin shërbim. Kjo nuk ka ndodhur fatmirësisht. Nëse shëndetësia do të ishte ajo e para 7 vite mund të kishte ndodhur kolapsi. Kur shkoje në spitale dhe dukej sikur shkoje te tregu u mallrave sepse nuk kishte asgjë që të ofronin, edhe ilaçet ishin në letra sepse në depo nuk kishte asgjë.
Mediat duhet të bëjnë një verifikim i ekspertit dhe specialitet që po flet. Nëse mendoni se është i kualifikuar dhe ka eksperiencën e nevojshme patjetër që duhet transmetuar. Në fund të ditës kritikat konstruktive na bëjnë shumë mirë", ka deklaruar ndër të tjera ministrja Manastirliu.
Lajmi kryesor:
Manastirliu: Janë rritur vatrat e infektimit, shumica janë familjare! Kemi gati spitalin COVID 4, ja skenarët për ato rajonalë! Gati paketa e rimbursimit për mjekimin në shtëpi (VIDEO)
K.T.//ReportTv.al