Kronikë

Eksplozivi në makinën e Elton Debreshit, Vetëvendosje: Përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë! Të dënohet

27 Gusht 2021, 17:50| Përditesimi: 27 Gusht 2021, 17:56

  • Share

Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar vendosjen e eksplozivit në makinën e Elton Debreshit, minatorit që kandidoi si i pavarur për deputet në Dibër. Në një reagim zyrtar, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri shkruan se përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë. Në reagim nënvizohet se organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë duke bërë zbardhjen e plotë të këtij akti që përveç sulmit ndaj Elton Debreshit mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë.

Reagimi i plotë:

Dënojmë krimin dhe terrorin e drejtuar ndaj sindikalistit Elton Debreshi. Në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi eksplozivi ka shpërthyer automjetin e Elton Debreshit, minatorit që drejton Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar në Bulqizë, dhe ish kandidat i pavarur për deputet. Automjeti ka qenë pranë shtëpisë së tij, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. Shprehim solidaritetin me z. Debreshi, familjen dhe kolegët e tij, duke e dënuar këtë krim që duket se tenton të godasë më gjerë edhe sindikalizmin dhe aktivizmin në Shqipëri. Organet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë duke bërë zbardhjen e plotë të këtij akti që përveç sulmit ndaj Elton Debreshit mund të ketë si synim edhe përhapjen e terrorit më gjerë.

Në vititn 2019, Elton Debreshi dhe disa prej kolegëve të tij sindikalistë janë pushuar nga puna nga kompania “AlbChrome” në pronësi të Samir Manes, për shkak të angazhimit të tyre sindikalist. Këtë javë kolegu sindikalist i Elton Debreshit, minatori Beqir Duriçi, gjithashtu i pushuar nga puna, ka fituar gjyqin në shkallën e parë për dëmshpërblim nga kompania “AlbChrome”. Minatorët në Bulqizë janë nën kërcënimin e vazhdueshëm nga pronarët e kompanive që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve dhe kushtet bazë të punës, mungesa e të cilave u ka marrë jetën me dhjetra minatorëve. Nga ana tjetër, kur minatorët janë organizuar për të mbrojtur të drejtat e tyre e për të kërkuar Statusin e Minatorit, ata janë kërcënuar në mënyra nga më të ndryshmet.

Përmes taktikave mafioze, dhuna ndaj minatorëve është strukturore dhe e drejtpërdrejtë. Akte të tilla kriminale jo vetëm duhen dënuar njëzëri që të ketë përgjegjësi penale, por edhe duhet të shërbejnë si thirrje për angazhim për drejtësi sociale!


Lajmi kryesor:

Bulqizë/ I vendoset tritol makinës së Elton Debreshit, minatorit që kandidoi si i pavarur për deputet në Dibër! Sindikata e Minatorëve i del në mbrojtje kryetarit të tyre: Duan të na mbyllin gojën


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?