Piktori Vangjel Gjikondi prezanton në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të 550-vjetorit të heroit tonë kombëtar ekspozitën me rreth 60 tablo. Ekspozita zë fill me lindjen, pagëzimin e Skënderbeut, duke vijuar betejat e shumta, gjatë të cilave ai doli fitimtar. Krahas fitoreve historike të heroit tonë kombëtar, autori ka pasqyruar me vërtetësi dhe realizëm dhimbjet, gëzimet edhe trishtimet e tij.
Unë kam dashur që të nxjerr ato tablo historike që ka interes edhe populli. Jam munduar që brenda librit të Marin Barletit, që të zgjedh rreth 60 tablo, duke nisur nga pagëzimi i Skënderbeut, beteja të ndryshme apo vrasja e mbretit Vadislav, që kjo është një goditje e madhe jo vetëm për Shqipërinë, Epirin, por edhe për Europën. Në betejën tjetër që bën Skënderbeu bëhet një tërheqje shumë e madhe, që Europa vjen në Krujë edhe falënderon Skënderbeun dhe më vonë quhet kalorës i Krishterimit.
Piktori Vangjel Gjikondi
Në tablotë e ekspozuara të bie në sy që artisti nuk i ka qëndruar besnik portretit që ne njohim të heroit kombëtar
Unë jam munduar që ta bëj ndryshe, përse duhet që të bëj diçka që kanë bërë të tjerët. Qoftë në pikturë, qoftë në skulpturë janë vepra shumë pompoze, por mua nuk më pëlqen pompoziteti. E kam ulur në tokë Skënderbeun dhe e kam lidhur me popullin, me historinë edhe me betejat e ndryshme. Jam munduar që ta interpretoj edhe nga ana artistike, jo ta bëj strikt, në mënyrë fotografike.
Piktori Vangjel Gjikondi
Dëshira e tij është që të pasqyrohet historia e Skënderbeut nëpërmjet pikturës.
Nëpërmjet kësaj duhet që të pasqyrohet historia, sepse tabloja është konkrete. Kjo është një mënyrë që populli ta kuptojë më shumë, ose zbërthimi i librit të Marin Barletit. Nuk kam pasur asnjë mbështetje. Që në vitin 2012 kam bërë kërkesë edhe nuk më kanë pranuar edhe në MK s’më pranuan. Bëra kërkesë tjetër tek ‘Shqipëria që duam” edhe nëpërmjet saj më kanë dhënë thjesht sallonin.
Piktori Vangjel Gjikondi
Piktori shton se në festimet që po bëhen për 550-vjetorin e Skënderbeut janë pranuar tema që s’kanë lidhje fare me figurën e tij.
Nuk e kanë mendjen fare tek Skënderbeu. Nuk u vë faj drejtorit të GKA-së, MK-së edhe pse ndikon. Nuk më është pranuar që herët. Skënderbeun munden ta spostojnë. Por kjo gjë ka të bëjë me momentin kur ministri turk i Punëve të Jashtme shkoi në Sarajevë dhe nisi që të fliste për ndryshimin e historisë së Shqipërisë. “Nuk kemi qenë pushtues, por administrues” dhe historia e Shqipërisë duhet që të ndryshohet. Nëse pranohet kjo gjë, bie e gjithë historia e Shqipërisë. Edhe kjo ka vazhduar. Unë pasqyroj historinë e Skënderbeut, ose Sagën e shqiptarëve, se si mund të quhet ndryshe. Nuk është investuar fare. Bëhet thjesht një betejë e përgjithshme për të, por nuk pasqyrohet asgjë, kjo është edhe për teatrin, filmin e muzikën. Më shumë kanë bërë të huajt.
Piktori Vangjel Gjikondi
Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë mbrojtës i Krishterimit dhe qytetërimit perëndimor. Ai është një figurë e madhe historike, prandaj të gjithë veprat e artit dhe literatura që i është kushtuar atij meritojnë të hyjnë në kujtesën e kulturës botërore. Piktori përgjatë dhjetë viteve i është kushtuar figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke u mbështetur tek “Historia e Skënderbeut” dhe “Rrethimi i Shkodrës” së historianit Marin Barleti.