Ekstradimi i mësuesit turk Harun Celik drejt Turqisë ka sjellë reagime të shumta nga politikanët shqiptarë.
Ditën e sotme në një postim në rrjetet sociale, kryetarja e grupit së opozitës parlamentare Rudina Hajdari shkruan se ekstradimi i shtetasit turk pa një vendim gjyqsor, dhe drejt një vendi ku ka rrezik serioz për jetën e tij, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, dhe Konventës së Këshillit të Europës për Ekstradimin.
Sipas Hajdarit institucionet përkatëse duhet të marrin masa për zhvillimin e plotë të një procesi të rregullt ligjor për subjektin dhe të ndalohen aktet politike në cënim të të drejtave të njeriut.
"Me ekstradimin e shtetasit turk Harun Çelik, pa një vendim gjyqësor dhe drejt një vendi ku ka rrezik serioz për jetën dhe trajtimin e tij, gjendemi përball shkeljeve të të drejtave të njeriut, ligjeve në fuqi të RSh, Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën e Këshillit të Europës për Ekstradimin.
Institucionet përkatëse të ndërmarrin masa për zhvillimin e procesit të rregullt ligjor për subjektin dhe të ndalohen aktet politike në cënim të të drejtave të njeriut", ka shkruar Hajdari.