Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë sot në drejtori në policisë së Vlorës për të bërë një analizë të situatës së rendit në qytet. Gjatë deklaratës për mediat, ai foli edhe për vrasjen që tronditi Vlorën më 7 janar, ku u ekzekutua me snajper 23 vjeçari Gëzim Sinomati.
Balla tha se për hetimin e ngjarjes së rëndë është angazhuar personalisht drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku dhe theksoi se në pistën e parë kryesore që policia do të ketë, do të kryejë dokumentimin e ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.
“Është një ngjarje kriminale e rëndë për të cilën është angazhuar personalisht drejtori i përgjithshëm së bashku me drejtues vendorë. Besoj se në pistën kryesore që kemi do shkojmë drejt dokumentimit dhe arrestimit të personave”- tha Balla.
Ministri tha se ngjarje të tilla kriminale rikthejnë shqetësimin e qytetarëve për rendin në qytet. Balla garantoi se policia është shumë pranë zbardhjes së ngjarjeve kriminale.
“Sa i përket rendit dhe sigurisë, pavarësisht punës së mirë mjafton një ngjarje e rëndë kriminale të rikthejë shqetësimin e qytetarëve të Vlorës nga makthet e së shkuarës. Kemi bërë një analizë të thellë dhe u garantoj juve, po edhe personave që përfshihen në ngjarje të tilla, që jemi shumë pranë zbardhjes së këtyre ngjarjeve”- nënvizoi ministri.
Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, FNSH dhe policia kanë organizuar kontrolle të shpeshta në hyrje të qytetit të Vlorës duke ngritur postoblloqe për kapjen e personave të rrezikshëm. Ndërsa së fundmi, policia ka ofruar një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që ka informacion që mund të çojë drejt zbardhjes së ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin bregdetar.