Kronikë

Zjarr në landfillin e mbetjeve në Elbasan, rëndohet situata në orët e mbrëmjes! Ullishtet e fshatit Balëz janë përfshirë nga flakët, ndërhyrje dhe me helikopter (VIDEO)

1 Korrik, 14:04| Përditesimi: 1 Korrik, 21:55

  • Share

Elbasan-Vatrat e zjarrit që kanë përfshirë qytetin e Elbasanit gjatë ditës së sotme janë përkeqësuar ndjeshëm në orët e mbrëmjes. Burime për Report TV bëjnë me dije se situata është rënduar sidomos në fushën e mbetjeve të landfillit, ku flakët janë bërë më agresive dhe po përhapen me shpejtësi. Zjarrfikësja, së bashku me forca të shumta në terren, po punon intensivisht për izolimin e flakëve. Sipas gazetarit të Report TV, Ronaldo Gjoshi, tymi i dendur dhe erërat e forta kanë bërë që zjarri të mos vihet ende plotësisht nën kontroll, duke krijuar shqetësim të madh për banorët e zonës përreth.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, ka konfirmuar se flakët janë të vështira për t'u shuar dhe se prioritet mbetet mbrojtja e banesave në afërsi. Ai theksoi se zjarri është izoluar përkohësisht nga zonat e banuara, por rreziku nuk është zhdukur.

Kjo është hera e dytë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët këtë verë, pas incidenteve të ngjashme në korrik të viteve 2023 dhe 2024. Aktualisht, shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, situatë problematike paraqitet edhe në fshatin Balëz, ku një sipërfaqe me ullishte është përfshirë nga flakët. Për shuarjen e këtij zjarri është angazhuar edhe një helikopter, për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit.

Temperaturat e larta dhe era e fortë po e bëjnë më të vështirë përballimin e emergjencës, ndërsa autoritetet i bëjnë apel qytetarëve për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie.

lajm në përditësim 

 

Ora 21:53
Rëndohet zjarri në landfillin e Elbasanit, flakët përhapen me shpejtësi në orët e mbrëmjes

1751399583_zjarrneelbasan.JPG

Zjarri që përfshiu pasditen e sotme fushën e mbetjeve në landfillin e Elbasanit është përkeqësuar ndjeshëm në orët e mbrëmjes.

Flakët janë përhapur me shpejtësi, ndërsa tymi i dendur ka shkaktuar shqetësim për banorët përreth.

Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për izolimin e zjarrit, ndërsa rreziku mbetet i lartë.

 

Ora 20:36
Zjarri në fushën e mbetjeve, Arben Cara: E vështirë shuarja, e kemi izoluar të mos rrezikohen banesat! Të zbatohet ligji për zjarrvënësit

 

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara, ka deklaruar se zjarri në landfillin e mbetjeve në Elbasan është i vështirë për tu shuar pasi vatra është e madhe. Ai tha se zjarri është izoluar që të mos rrezikohen banesat.

Cara ka kërkuar që të zbatohet ligji për zjarrvënësit, të vuajnë dënimin për dëmin që shkaktojnë

 ‘Për vatrën aktuale ku ne jemi kemi angazhuar edhe 60 forca zjarrfikëse nga disa bashki fqinje nga Tirana, Berati dhe Kavaja, ku po punohet për izolim e saj, janë mbetje urbane që janë të vështira për tu shuar. Bashkia vet ka vendosur disa fadroma duke i izoluar me mbetje të lumit të Shkumbinit, është shumë e përhapur dhe kemi arritur që ta izolojmë që të të mos rrezikohen banesat. Edhe ushtria është angazhuar me 2-3 automjete, edhe pse ajo fiket riaktizizohet në pak sekonda. Po duhet që të zbatohet ligji për zjarrvënësit, të vuajnë dënimin për dëmin që shkaktojnë', tha ai. 

Ora 17:56
Rëndohet situata në landfillin e mbetjeve në Elbasan, mbërrijnë forca të shumta zjarrëfikëse (VIDEO)

Pasditen e sotme ka marrë flakë landfilli i mbetjeve në Elbasan.

Sipas informacioneve, ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa në vendngjarje po punohet për shuarjen e flakëve.

Forcat e emergjencave civile ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë së bashku me ekipe të tjera për të vënë nën kontroll zjarrin. Raportohet se gjendja është e rënduar dhe kanë mbërritur forca të shumta zjarrëfikëse.

Fusha e mbetjeve është e dyta herë që përfshihet nga flakët në verë dhe në korrik të 2023 dhe të 2024, një situatë e cila ka krijuar problem për banorët e qytetit. 

A.Q/H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?