‘2 vila, 3 apartamente e 5 makina luksoze’, i sekuestrohen 3.5 mln euro pasuri 46-vjeçarit në Elbasan, i kishte regjistruar në emër të vëllezërve

6 Tetor 2022, 09:26| Përditesimi: 6 Tetor 2022, 13:24

  • Share

Elbasan - Një 46-vjeçari i identifikuar si Albert Topuzi i është sekuestruar pasuria me vlerë rreth 3.5 milionë euro pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Atij i është bllokuar një vilë tre katëshe, një vilë 2 katëshe, 3 apartamente, si dhe 5 automjete, mes tyre edhe makina luksoze si ‘Porsche’, ‘BMW' apo ‘Audi’. Gjithashtu i janë bllokuar 4 sipërfaqe ndërtimi dhe një aktivitet tregtar (biznes) me objekt prodhimin e betonit.

Disa prej pasurive i kishte kaluar  në emër të vëllezërve të identifikuar si Bashkim dhe Gentian Topuzi. Një pasuri të llojit truall e kishte regjistruar në emër të Gentianit, një apartament rezulton se ishte bashkëpronësi e tre vëllezërve, 4 automjete ishin në pronësi të Bashkimit dhe një tjetër ishte në emrin e Gentianit. Pasuritë e tjera ishin në pronësi të vetë Albert Topuzit. 

Sekustrimi i pasurive u bë në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Fasada’, pasi u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Elbasanit sepse dyshohet se pasuritë rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Në bazë të akuzave të ngritura ndaj tyre, nëse ato provohen, vëllezërit mund të rrezikojnë edhe dënimin me burg që varion nga 5-15 vite burg. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që Albert Topuzi dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Kush është Albert Topuzi

Topuzi është autor i dyshuar për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale", ndërsa më parë ka qenë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese. Aktualisht ndodhet në Antwerp të Belgjikës, ku kryente aktivitetet kriminale, ndërsa tani vuan nga një sëmundje e rëndë. 

Burime bëjnë me dije se ndaj Albert Topuzit, u regjistrua një kallëzim në Prokurorinë e Pogradecit disa vite më parë, nga familjarët e një vajze nga një fshat i këtij rrethi që jetonte në Itali. Ata pretendonin se Topuzi e kishte shfrytëzuar për prostitucion, ndërsa hetimet për këtë vepër penale dhe pastrim parash, u kryen nga prokurorja e shkarkuar nga vettingu, Elina Kombi. 

Si kryente pastrimin e parave

Pjesa më e madhe e pasurive të Albert Topuzit ishin të regjistruara në emër të vëllait të tij në Shqipëri, Bashkim Topuzit, i cili kishte themeluar një kompani me emrin "Basha Trans Shpk". Pikërisht përmes kësaj shoqërie, dyshohet se kryhej edhe pastrimi i parave të pista, ndërsa rezulton e regjistruar në shërbimet e gërrmimeve, rregullimeve në infrastrukturë dhe ndërtim.

Pasuria e sekuestruar
1.Pasuria nr.22/25 trual + ndërtesë 2 kate (godinë shërbimi), përfituar me leje legalizimi në vitin 2013;
2.Pasuria nr.429/11 vol 19 faqe 92, ZK 8526 e llojit truall që disponohet nga Albert Topuzi;
3.Pasuria nr. 4/611+1-29 vol 23 faqe 20, Zk 8524, sipërfaqe 109 m2, vlera 5,354,080 lekë përfituar me kontratë shitblerje në datë 22.08.2012;
4.Pasuria 22/23 ZK 8526, godinë banimi 1 kat, përfituar me leje legalizimi në vitin 2013;
5.Pasuria nr.429/13 vol 19 faqe 94, ZK 8526 e llojit truall që disponohet nga Gentian Topuzi;
6.Pasuria nr.5/289 ZK 8524, e llojit ndërtese 3 kate + bodrum + nënçati, me sipërfaqe 241,8 m2 truall, nga kjo ndërtesë : kati përdhe sip.153,8 m2, kati bodrumit me sip 151.4 m2, kati i parë me sip 164.5 m2, kati dytë me sip 164.5m2, sip. e nënçatisë 140+24.1 m2;
7.Pasuri nr.22/24 ZK 8526, godinë banimi 1 kat 60 m2, përfituar me leje legalizmi në vitin 2013;
8.Pasuria nr.429/12 vol 19 faqe 93, ZK 8526 e llojit truall;
9.Pasuria nr.5/149+1-21, vol 6 faqe, 136 ZK 8524 e llojit apartament në bashkëpronësi mes Gentian Topuzi dhe Albert Topuzi , përfituar nga privatizimi që disponohen nga Bashkim Topuzi;
10.Automjetet me targë AA 3.. CD, AV 2.., AA 1.. YN, AA 4.. DA në pronësi të Bashkim Topuzi
11.Automjeti me targë automjetin me targë AA 6.. RM në pronësi të Gentian Topuzi.

Ora 13:02
Zbulohet si Albert Topuzi kryente pastrimin e parave të drogës dhe prostitucionit përmes firmës së betonit

1665054315_123.JPG

Albert Topuzit, të cilit i sekuestruan pasurinë me vlerë 3.5 mln euro, kishte të regjistruar pjesën më të madhe të pasurive në emër të vëllait Bashkim Topuzi, i cili kishte në kompaninë me emrin "Basha Trans Shpk" në Shqipëri. Përmes firmës së betonit bënte edhe pastrimin e parave të pista që përfitonte nga trafiku i drogës dhe shfrytëzimi i prostitucionit. 

Ora 12:56
Iu sekuestruan 3.5 milionë euro pasuri, Albert Topuzi vuan nga sëmundja e rëndë! Aktualisht ndodhet në kryeqytetin europian 'të drogës'

1665054125_er.JPG

Albert Topuzi, pasuria e të cilit me vlerë 3.5 milionë euro është sekuestruar, aktualisht ndodhet në Antwerp të Belgjikës por mësohet se vuan nga një sëmundje e rëndë.

Ora 12:55
Iu sekuestruan 3.5 mln euro pasuri, burime: Hetimi ndaj vëllezërve nisi në 2018! Kallëzimin për prostitucion ia mbylli prokurorja e shkarkuar nga vettingu

1665053775_makina.JPG

Procedimi ndaj vëllezërve Albert, Gent dhe Bashkim Topuzi, të cilëve Prokuroria iu sekuestroi pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, është regjistruar që në vitin 2018. Burimet financiare për krijimin e pasurive, dyshohet të kenë ardhur nga trafikimi i lëndëve të forta narkotike kryesisht jashtë vendit dhe prostitucioni.Vite më parë, ndaj Albert Topuzit u regjistrua një kallëzim në Prokurorinë e Pogradecit nga familjarët e një vajze nga një fshat i këtij rrethi që jetonte në Itali.

Ata pretendonin se Topuzi e kishte shfrytëzuar për prostitucion, por prokurorja e shkarkuar nga vettingu, Elina Kond vendosi pushimin e hetimeve me argumentin se nuk kishte konstatuar elemente të veprës penale. Hetimi u rihap kryesisht në Elbasan nga prokurori Artur Ismailukaj në 2018, gjë e cila çoi edhe në sekuestrimin e pasurive mes të cilave 5 automjete, një lokal në rrugën "Visarion Xhuvani", 3 apartamente po në atë lagje në të njëjtin kat, vilë 4 katëshe, sipërfaqe toke etj.

Ora 09:31
Iu sekuestrua pasuria me vlerë 3.5 mln euro, kush është 46-vjeçari nga Elbasani, i arrestuar në Itali për shfrytëzim prositucioni (EMRI)

1665041236_Screenshot1.jpg

Report Tv mëson se 46-vjeçarit nga Elbasani që iu sekuestrua një pasuri me vlerë 3.5 mln euro është Albert Topuzi.  Ai është autor i dyshuar për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale", pasi më parë ka qenë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese.

Ora 09:28
VIDEO/ ‘Porsche’, ‘Audi’ dhe ‘Benz’ dhe një super vilë, ja pasuria e 46-vjeçarit në Elbasan që iu sekuestrua

Report Tv sjell video nga pasuria e sekuestruar në pronësi të 46-vjeçarit. Në video shfaqet vila e tij 3 katëshe në Elbasan, teksa i janë sekuestruar edhe 6 makina, mes tyre ‘Porsche’, ‘Audi’ dhe ‘Benz’. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?