Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat në zonën e Karinës, duke përhapur flakët në territorin e Peqinit dhe në Sinaballaj në bashkinë e Rrogozhinës.
Përpjekjet për ta vënë nën kontroll vijojnë intensivisht, ndërsa sipas raportimeve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe kullotë.
Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale dhe ato mjedisore janë të konsiderueshme. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë në kushte të vështira për të lokalizuar dhe shuar vatrat aktive.
Në ndihmë të tyre janë bashkuar edhe banorë të zonës të cilët po kontribuojnë në mënyrë vullnetare për përballimin e emergjencës. Gjithashtu, në operacion është angazhuar dhe helikopteri i ushtrisë, i cili po ndihmojn nga ajri në përpjekjet për të frenuar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Autoritetet si gjithmonë në raste të situatave të tilla të emergjencave bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim nga ana e qytetarëve, ndërkohë që situata mbetet ende kritike dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë, një tjetër zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme në fshatin Drenovë të bashkisë Mallakastër duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe ullishte.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në fshatin Drenovë të bashkisë Mallakastër. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe ullishte.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Sipas burimeve nga terreni, ndërhyrja po vështirësohet për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer kodrinor, që e bën të vështirë ndërhyrjen.
'Zjarri ka një përhapje shumë të madhe, në shkurre, ullinj dhe pisha. Po bëjmë përpjekje për të mos lejuar kalimin në pyllin e lartë me pisha. Zjarrfikësit edhe pse në terren të vështirë po bëjnë përpjekje për të shuar zjarrin', thotë drejtori i zjarfikseve Mallakaster, Hajri Malaj.
Komente
