Sociale

Dita e Verës, mijëra qytetarë festojnë në mbarë vendin! Elbasani ‘epiqendra’, muzikë, valle e karnavale (VIDEO)

14 Mars, 09:53| Përditesimi: 14 Mars, 20:39

  • Share

Mijëra qytetarë e vizitorë nga trojet shqiptare u bënë pjesë e festimeve në Elbasan, për Ditën e Verës. Në rrugët e dekoruara me lule, u zhvillua parada e karnavale, koncerte me këngë e valle popullore. Pjesë e festës u bënë artistë të njohur si grupi Elita 5. Në kala artizanët prezantuan produktet e tyre, ku nuk mungon ballokumja e famshme e Elbasanit. Të gjitha baret e restoratentet e qytetit janë të prenotuara pasi festimet do të vijojnë dhe në fundjavë.

Dita e Verës në Durrës solli një atmosferë festive në sheshin qendror të qytetit, pavarësisht kushteve jo të favorshme të motit. Vogëlushët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhanë për të pranishmit një koncert festiv. Nuk mungojne veroret, simbol i festës.

 Në Përmet dhjetera prodhues e artizane të veres, rakise u bënë pjesë e panairit me produkte vendase. Po keshtu u organizua nje koncert që mbushi sheshin e qytetit.

Lulishtja pranë Memorialit të Skenderbeut në Lezhë u shndërrua në qendër të gëzimit dhe traditës, ku fëmijë e të rinj performuan valle e këngë tradicionale duke terhequr vemendjen e vizitorëve.

Në Vlorë u zhvillua panairi i kulinarisë në sheshin para stadiumit në Vlorë si dhe një koncert me nxënësit e shkollave.

Grupet artistike dhe amvisat kolonjare të cilat paraqiten të gjitha gatimet tradicionale e bënë të vecantë ditën e verës në Ersekë.

Dita e Verës është pritur në Korçë me zjarret para shtëpive, një ritual që simbolizon largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Po kështu në Fier dhe Lushnje, qindra fëmijë me veshje popullore u bënë pjesë e koncerteve festive si dhe paradës së karnavaleve.

 Të tjerë qytetarë zgjodhën të ngjiten në kalanë e Beratit apo të vizitojnë Parkun e Divjakës, për të qendruar pranë natyrës e ajrit të pastër.

Dita e Verës është feste pagane tradicionale, kremtim i optimizmit dhe  shpresës që lindin me përtëritjen e natyrës.

Ora 20:34
‘Dita e Verës’, koncert festiv edhe në Fier, qytetarët mbushin sheshin e qytetit  

Festimet me rastin e ‘Ditës së Verës’ vazhduan edhe sot në mbrëmje në qendër të qytetit të Fierit në një koncert të madh festiv, me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve të mirënjohur shqiptarë dhe fierakë.

Ata u duartrokitën nga artëdashësit fierak që kishin mbushur plot sheshin e qytetit. 

Ora 20:25
‘Dita e Verës’ në Vlorë, mbyllen me koncert festimet, qytetarët festojnë me këngë e valle

 

Mbyllen me një koncert festiv me emra të njohur të muzikës shqiptare aktivitetet me rastin e ‘Ditës së Verës’ në Vlorë. Festimet nisën këtë paradite me një panair të nxënësve të shkollave ‘Kulturë, traditë dhe Lule”.

Ku nuk munguan edhe prodhimet tradicionale vendase, ndërsa u përmbyllën këtë mbrëmje me koncertin festiv.

Qytetarë të Vlorës kane shijuar muzikën shqiptare dhe emrat e njohur duke ju bashkuar kështu festimeve të 'Ditës së Verës' në Vlorë.

Ora 13:58
PAMJET ME DRON/ Elbasani epiqendra e Ditës së Verës, mijëra njerëz mblidhen për të festuar

Elbasani u shndërrua në epiqendrën e festimeve për Ditën e Verës, duke mirëpritur mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria.

Këto pamje me dron që sjell Report Tv tregojnë mijëra njerëz që kanë mbushur rrugët kryesore të qytetit, mes dekorimeve shumëngjyrëshe dhe atmosferës festive. Ballokumet, simboli i kësaj dite, nuk munguan në asnjë cep, ndërsa muzika dhe aktivitetet argëtuese sollën një atmosferë magjike.

Ora 12:31
Dita e Verës në Vlorë, qytetarët festojnë me këngë e valle

 

Edhe në Vlorë me rastin e Ditës së Verës është krijuar një atmosferë mjaft aktive. Pjesë e festimeve janë bërë nxënës të shkollave dhe qytetarë të shumtë.

Në sheshin para stadiumit u zhvillua panairi i kulinarisë si dhe një koncert me nxënësit e shkollave.

Përveç ballokumes pjesë e panairit kanë qenë edhe produktet tradicionale vendase.

Kryebashkiaku Ermal Dredha e ka cilësuar një ditë gëzimi drejt një stine të re dhe një sezoni turistik që na pret përpara. 

Ora 11:55
Atmosferë festive në Përmet, qytetarët kremtojnë Ditën e Verës

 

Dita e Verës po festohet në Përmet përmes panairit të produkteve ushqimore. Siç dihet Përmeti e ka shndërruar prej vitesh në një traditë këtë festë. Me dhjetëra prodhues artizanale të verës, rakisë, apo kulinarisë karakteristike kanë reklamuar produktet e tyre ndërkohë që nuk kanë munguar blerësit.

Bashkia e Përmetit kishte konceptuar këtë ditë në ndërthurje të panairit dhe spektaklit. Artistë të ndryshëm kanë performuar për qytetarët që kishin populluar sheshin qendror te qytetit.

Ora 11:23
Dita e Verës në Lezhë, qytetarët këngë e valle në lulishten pranë memorialit të Gjergj Kastriotit

 

E kthyer në traditë, Dita e Verës u festua edhe në Lezhë, ku u organizuan aktivitete të shumta. Lulishtja pranë Memorialit të Gjergj Kastriotit u shndërrua në një qendër të gëzimit dhe traditës, duke mirëpritur qytetarë të shumtë, fëmijë dhe të rinj, të cilët festuan këtë ditë simbol të pranverës dhe rigjallërimit të natyrës.

Në këtë aktivitet morën pjesë artistë të rinj, të cilët performuan valle, këngë tradicionale, recitime si dhe lojëra të ndryshme, ndërsa pjesë e festës u bënë shumë qytetarë dhe vizitorë të cilët kishin ardhur nga zona të tjera.

Drejtori i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve në Bashkinë Lezhë Keler Sufja theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj feste dhe pasurimit të saj me elementë që reflektojnë identitetin kulturor të Lezhës.

Pavarësisht kushteve atmosfere të paqëndrueshme, vijojnë aktivitetet argëtuese për fëmijët.

Ora 10:24
Këngë e valle në Ersekë, qytetarët mblidhen për të festuar Ditën e Verës

Për të 6-tin vit me radhë banorët e qytetit të Ersekës organizojnë në mënyrë të veçantë festën e Ditës së Verës. 

Qytetarët nga njëra anë, grupet artistike e deri tek amvisat kolonjare, të cilat paraqesin të gjitha gatimet tradicionale të kësaj dite, e bëjnë aq shumë tërheqës festën në qytetin e vogël të juglindjes së vendit.

Amvisat tregojnë se në këtë ditë gatimet me të rëndësishme janë kulaçi, vezët por edhe ëmbëlsirat e ndryshme si dhe veroret.

Dita e Verës është festuar nga banorët në mënyrë të paorganizuar edhe në qytete të tjera të juglindjes së vendit dhe pjesën më të madhe të fshatrave.
 

Ora 09:52
Lushnja feston Ditën e Verës, koncert dhe aktivitete në sheshin qendror të qytetit (VIDEO)

Edhe në Lushnje po mbahen disa aktivitete në kuadër të Ditës së Verës.  Festa ka nisur që të enjten, që ashtu siç e kërkon tradita, u ndezën zjarre në sheshin qëndror të qytetit, të cilat simbolizojnë largimin e dimrit dhe nisjen e një stine të re atë të ripërtëritjes. 

Në shesh u organizua edhe një koncert nga qendra kulturore e qytetit në bashkëpunim me bashkinë, ku morën pjesë edhe fëmijë të shkollave, të cilët e pritën stinën e verës me këngë dhe valle. 

Fëmijët parakaluan gjithashtu nëpër rrugë me maska karnavalesh. 
 

Ora 09:44
‘Festa e luleve’ çel festimet me rastin e Ditës së Verës në Fier (VIDEO)

Bashkia Fier ka çelur festimet me rastin e Ditës së Verës.

Kalendari festiv ka nisur dje me 'Festën e luleve' në sheshin qendror të qytetit me pjesëmarrjen e 350 fëmijëve të kopshteve publike të qytetit.

Me dekor pranveror dhe muzikë festive sheshi qendror i Fierit u shndërrua në një një hapësirë të madhe dedikuar Ditës së Verës.

Festimet e bashkisë do vazhdojnë edhe sot deri në mbrëmje në një koncert të madh festiv, me pjesëmarrjen e mbi 30 artistëve të mirënjohur shqiptarë dhe fierakë.

Ky kalendar festiv me rastin e ditës e verës organizohet për herë të parë nga Bashkia e Fierit, në kuadër të diversifikimit të aktiviteteve artistike për ta bërë Fierin një qytet të vizitueshem dhe festiv në cdo kohë të vitit.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?