I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti shqiptar nga Suedia, Altin Joka. Ai foli për frutat e stinës që na freskojnë në verë dhe që mjekësia holistike i njeh për përfitimet e shumta shëndetësore.
“Pjeshkët dhe nektarinat janë thesare të vërteta të verës” tha Joka.
Sipas tij, ka studime serioze që kanë vërtetuar shkencërisht vlerat e këtyre frutave për organizmin.
“Për shkak të përmbajtjes së lartë të ujit, ato janë hidratues shumë të mirë dhe njëkohësisht ndihmojnë në detoksifikimin e trupit. Këto fruta janë të pasura me fibra, çka i bën ideale për pastrimin e zorrëve dhe përmirësimin e tretjes. Në mjekësinë tradicionale kineze, pjeshkat dhe nektarinat janë përdorur për trajtimin e problemeve me gastritin, ulçerat dhe mushkëritë”.
Pjeshkët janë të pasura me vitaminë C, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar. Gjithashtu përmbajnë vitaminë A, shumë të rëndësishme për shëndetin e syve dhe lëkurës, si dhe kompleksin e vitaminave B, që ndihmon në stabilizimin e energjisë dhe funksionimin e mirë të sistemit nervor. Fruti i pjeshkës dhe nektarinës përmban gjithashtu kalium, mangan, bakër, fosfor, hekur, kalcium dhe zink – elementë që ndihmojnë në shëndetin e kockave, funksionin e zemrës dhe mirëmbajtjen e qelizave. Nektarina, në veçanti, është efektive për personat që vuajnë nga anemia, ndihmon në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirëson funksionimin e zemrës. Kajsitë janë shumë të dobishme për ata që kanë probleme me zërin apo kanë tendencë të ngjiren, si dhe për sportistët që kanë nevojë për relaksimin e muskujve. Po ashtu, nektarina është shumë e mirë për mëlçinë dhe ndihmon edhe në lehtësimin e migrenës.
Por si mund të përzgjidhen këto fruta në treg, çfarë duhet të kemi kujdes?
“Së pari, duhet të dimë vendin e origjinës, të jenë të njëtrajtshme në peshë dhe ngjyrë, dhe për të vlerësuar freskinë, fërkojeni lehtë me dorë – nëse largohet pushi dhe zbardhet, është frut i freskët.”
Në fund të bisedës Joka theksoi se frutat duhen konsumuar të freskëta, jo të thata. Për personat me diabet, mjafton një pjeshkë ose dy nektarina në ditë, rekomandoi ai.
Komente
