Luis Enrique

Eliminimi nga Champions League, Luis Enrique: Futbolli është i padrejtë

8 Maj, 09:32| Përditesimi: 8 Maj, 09:39

  • Share

Trajneri i PSG-së, Luis Enrique u shpreh i zhgënjyer për eliminimin nga Champions League vetëm një hap larg finales, edhe për faktin se mbrëmjen e së martës të tijtë goditën 31 herë portën, mes tyre katër shtylla, por në fund Dortmund fitoi edhe ndeshjen e dytë 0-1.

"Meqë rezultati është ky, sigurisht që tregon se ishte një ndeshje e vështirë. E prisja një ndeshje të ngushtë, por të jem i sinqertë, mendova se e meritonim të fitonim. Ne bëmë 31 goditje, nga të cilat 4 prej tyre goditën shtyllën e portës kundërshtare.

Të paktën në dy ndeshjet gjysmëfinale e goditëm shtyllën 6 herë, por nuk shënuam asnjë gol. Kjo është e pabesueshme. Futbolli ndonjëherë është kaq i padrejtë", tha spanjolli.

Luis Enrique më pas uroi që Dortmund ta fitojë këtë trofe në finalen e Uembley më 1 qershor, teksa sot një mes Real Madrid dhe Bayern Munich (2-2) do marrë biletën e dytë të finales.

"Urime për ta, janë një ekip i madh. Luajtën shkëlqyeshëm ndaj nesh, shpresoj se mund ta bëjnë këtë edhe në finale, madje ta fitojnë atë. Ne po përpiqemi të krijojmë diçka pozitive. Tani është një moment i trishtuar, por në të njëjtën kohë sporti funksionon edhe në këtë mënyrë. Ne duhet të krijojmë diçka të veçantë sezonin e ardhshëm dhe të përpiqemi ta fitojmë këtë kompeticion", tha Enrique.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?