Tirana e futbollit u eliminua nga Kupa e Shqipërisë dhe sheh një sezon që deri në këto momente mund të quhet si dramatik. Si të mos mjaftonte vendi i nëntë (parafundit) në Superligë, vetëm dy fitoret këtë sezon dhe 18 pikët e grumbulluara, bardheblutë u përmbysën nga Bylisi në Kupë duke u eliminuar që në fazën e 1/8.
Për këtë në klubin më të titulluar në vend janë duke menduar një ndryshim dhe "kurban" si gjithnjë është posti i trajnerit, pa menduar për emrin që mban pozicionin.
Eliminimi ka qenë i dhimbshëm për Tiranën dhe presidenti Refik Halili me stafin po mendojnë për një ndryshim që do "zgjonte" lojtarët. Duket se Magani do marrë një vendim që sot, që më e mira do ishte një shans në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Egnatias.
Gugash Magani është trajneri i dytë i Tiranës këtë sezon, me peqinasin që zuri vendin e të shkarkuarit Bledi Shkëmbi. Trajneri Magani e ka drejtuar ekipin në 9 takime, duke marrë një fitore me Bylisin 4-0, më pas katër barazime rresht dhe tre humbje në kampionat si dhe një eliminim nga Kupa. Në total Magani ka marrë 7 pikë në tetë ndeshje.