Momente nga ndeshjet e sotme

Sport

Kupa e Shqipërisë/ Tirana e bën dramë, Bylisi e eliminon nga turneu! Laçi përmbys 3-1 Kukësin dhe merr biletën për në çerekfinale

14 Janar, 15:02| Përditesimi: 14 Janar, 15:54

  • Share

Kupa e Shqipërisë ka nisur ditën e parë për ndeshjet e fazës së 1/8. Biletën e parë për në çerekfinale e siguroi Laçi që fitoi 3-1 kundër Kukësit, ndërsa Tirana u eliminua nga Bylisi. Ndeshja në stadiumin e Vorës shkoi me shtesë pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt, aty ku ballshiotët fituan pas 120 minutave lojë (1-2).

Në stadiumin e Vorës kryeqytetasit e KF Tiranës panë t'u luhej një dramë para syve. Miqtë e Bylis fituan 1-2 pas 120 minutave lojë dhe kalojnë më tej. Tirana e Gugash Maganit sheh makthe këtë sezon, pasi si të mos mjaftonte forma e dobët në kampionat dhe zona e ftohtë, janë jashtë edhe nga Kupa e Shqipërisë. Më të dhimbshme këtë situatë e bën fakti se Tirana në këtë duel kaloi e para në avantazh me Emmanuel Ernest, sulmuesin e afruar në janar i cili debutoi me gol. Më pas Bylis barazoi në pjesën e parë me Markun, para se skuadrat të shkonin në shtesën prej 30 minutash pasi koha e rregullt u mbyll 1-1. Ishte Fatmir Ruçi në minutën e 116 që i dha suksesin Bylisit dhe bën që ballshiotët të kalojnë në çerekfinale.

Në stadiumin e Laçit vendasit u imponuan dhe përmbysën 3-1 Kukësin. Paçka se Kukësi shënoi me Badjie në minutën e 20-të, kurbinasit përmbysën me Tresan dhe Bullarin brenda pjesës së parë. Edhe fraksioni i dytë foli për vendasit që sërish me Bullarin gjetën edhe golin e tretë. Për t'u evidentuar se në minutën e 27-të portieri i vendasve Marco Molla u dëmtua në dorë dhe kokë dhe loja u ndërpre disa minuta, me gardianin që u dërgua në spital për kontrolle të specializuara.

Ndeshjet e tjera do të zhvillohen të mërkurën. Egnatia - Kastrioti dhe Skënderbeu - Vora do të luhen në orën 13:00, ndërsa në 13:30 do të startojë ndeshja Dinamo City - Erzeni. Takimet e tjera do të luhen në orën 17:00. Një nga ndeshjet më interesante është përballja Teuta - AF Elbasani. Në ndeshjet e tjera, Vllaznia do të ketë përballë Besën e Kavajës dhe Partizani do të luajë me Apoloninë.

Shënim: Për shkak të reshjeve të borës dhe kushteve në stadiumin e Korçës, ndeshja e Skënderbeu - Vora do spostohet në stadiumin e qytetit të Bilishtit në orën 13:00.

Kupa e Shqipërisë – Faza 1/8

E martë, 14 janar 2025
Laçi 3-1 Kukësi                               13:00
*Tirana 1-2 Bylis (Vorë)                   13:00

E mërkurë, 15 janar 2025
Skënderbeu - Vora                     13:00 (Stadiumi i Bilishtit)

Egnatia - Kastrioti                      13:00
Dinamo City - Erzeni                 13:30
Teuta - AF Elbasani                   17:00
Vllaznia - Besa                          17:00
Partizani - Apolonia                   17:00

*ndeshja zgjati 120 minuta

Ora 11:42
Reshjet e dëborës në qytetin e Korçës, ndeshja Skënderbeu-Vora ndryshon stadium

FSHF bën me dije se për shkak të reshjeve të dendura të dëborës në qytetin e Korçës, ndeshja e Kupës së Shqipërisë Skënderbeu-Vora, e cila ishte planifikuar të luhej nesër në orën 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”, do të zhvillohet në një tjetër stadium.

Ndeshja do të luhet në stadiumin 'Devolli' dhe do të nisë në orën 13:00.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?