KURBIN - Në ndeshjen e 1/8 të Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Kukësit ka pasur panik gjatë pjesës së parë. Në minutën e 27-të portieri i vendasve Marco Molla është dëmtuar pas një kontakti loje me Birçaj. Gardiani i bardhezinjve ka mbetur i dëmtuar në dorë dhe kokë dhe menjëherë stafi mjekësor është futur në fushë.
Pas më shumë se katër minutave ndihme, stafi mjekësor e ka parë të udhës që ta dërgojë futbollistin 22-vjeçar drejt spitalit për kontrolle të specializuara, teksa për fat gjendja nuk u duk aq serioze. Me largimin e tij vendin në portë te Laçi e mori Biba, ndërsa ndeshja vijoi.
Më pas kryesori Klodian Shahini kuptoi se loja nuk mund të vijonte pasi mungonte ambulanca. Pas disa çasteve autoambulanca u rikthye në stadium dhe ndeshja rifilloi.