Elita 5 koncert në Amfiteatrin e Tiranës, solisti i grupit: Hera e parë në Shqipëri, në vitin 1994

31 Gusht 2018, 17:35| Përditesimi: 31 Gusht 2018, 20:36

  • Share

Për të Tirana është kryeqendra e të gjithë shqiptarisë. Prandaj kanë vendosur që koncertin e parë festiv për krijimin e grupit të tyre, 30 vite bashkë ta japin në Shqipëri. Për kamerën e “Report Tv”, solisti i grupit Arif Zyberi rrëfen çelësin e suksesit, që grupi Elita 5 nuk ka ndryshuar për tre dekada asnjë anëtar të grupit.

Intervista e plotë:

Arif, jemi këtu për 30-vjetorin e krijimit të grupit tuaj, Elita 5. Një grup që për të gjithë brezat që e kanë dëgjuar kanë lënë gjurmët e veta, jo vetëm nëpërmjet ritmit, por edhe teksteve. Por, çfarë rëndësie ka për ju ky 30-vjetor?

Po, a ka kënaqësi më të madhe për një artist që të ketë një rrugëtim 30-vjeçar? Për ne është një kënaqësi e madhe, sepse ne thjesht kemi bërë punën tonë ashtu siç duhet. Kur e mendojmë, themi: U paskan kaluar 30 vite?! Ka qenë një rrugëtim shumë i mirë i grupit, por publiku ka qenë ai që na ka dhënë vullnet dhe na ka shtyrë që të këndojmë edhe të bëjmë gjëra të bukura. Besoj se ja kemi arritur qëllimit.

Në 30 vite janë shumë këngë ku mund të ndalim. Është “Nuk jam Alkapone”, “Çmendem”, “Më fal”, janë këngë që janë kthyer në hite. Por për ju cila ka qenë ajo këngë që ka lënë më shumë gjurmë?

E kam thënë edhe herë tjetër, që vula edhe pasaporta e Elita 5 është kënga “Nuk jam Alkapone”. Mirëpo kanë pasuar edhe shumë hite të tjera, por viti 1992 ka qenë viti 12 Elita 5 e kanë dëgjuar shumë edhe kanë pëlqyer. Edhe sot pas më shumë se 25 vite nga dalja e asaj kënge publiku e kërkon edhe më shumë.

Jo, është e vërtetë. Është shumë e vështirë që të mbesësh nga fillimi deri më sot i njëjti formacion. Por çfarë na ka mbajtur? Korrektësia ndaj punës, ndaj njëri-tjetrit, shoqëria, jemi afër me lagje edhe njihemi familjarisht. Por normalisht që Elita 5 bën punën me përgjegjësi.

Si qëndrojnë tekstet tuaja pas kaq vitesh, për publikun, por edhe për ju?

Në grupin e Elita 5 dihet që kompozitori është Virusi, ndërsa kemi grupet që qëndrojnë jashtë grupit edhe që ne u përcaktojmë kriteret, ndërsa ata i plotësojnë kërkesat tona. Besoj se veçanërisht tekstet e baladave pëlqehen shumë. Jemi grup që kërkojmë shumë nga tekstshkruesit edhe besoj se deri më tani ja kemi arritur qëllimit.

Zakonisht i këndoni dashurisë, humbjes, janë këngë që pëfshin njerëz në etapa të ndryshme të jetës. A është kjo arsyeja që publiku ju ka dashur gjatë gjithë kohës?

Nuk e di! Sepse, historitë janë të ndryshme, dikush thotë: Që me këngën tuaj jemi njohur apo me shoqen jemi lidhur etj. Besoj se deri më sot kemi bërë gjëra të duhura, se kemi përfshirë edhe ngjarje nga jeta e tekstshkruesve apo jona.

Ka elemente autobiografikë që janë përfshirë në këto tekste?

Normalisht që ka, se të gjithë kemi pasur histori dashurie që janë përfshirë në ato tekste.

Cili është momenti më i lumtur në 30 vite?

Kënaqësia më e madhe është vëmendja e madhe e adhuruesve, e njerëzve që e rrethojnë grupin Elita 5. Ja këtu shikojmë gjithë vëmendjen edhe kur e shoh këtë mendoj se duhet që të punojmë dhe me shumë.

Kemi menduar ndonjë bashkëpunim me ndonjë grup tjetër, pa ardhur tek vajza juaj Elita?

Kemi menduar, siç edhe kemi pasur “Sajzeza”. Mirëpo, vajza ime Elita edhe ajo këndon. Kemi menduar që të bëjmë një duet bashkë, mirëpo kur ta ketë Virusi një këngë për ne të dy do këndojmë.

Si është që të jesh artist edhe pasandaj këtë dashuri për këngën ta trashëgojë edhe vajza jote?

Nuk është se e kisha menduar, nuk ja kam imponuar. Mirëpo ajo me punën edhe talentin e saj e ka arritur atë që ka synuar. Ajo është në fillimet e saj. Unë e kam këshilluar, mirëpo i ngelet asaj, sepse muzika edhe arti nuk është se të shtynë dikush, sepse këtë mund ta bësh deri diku, por ajo tregohet në skenë. Ka pasur raste që e kanë pëlqyer, mirëpo puna më e madhe i mbetet asaj.

Cila ka qenë hera e parë që keni ardhur për një koncert në Shqipëri?

Hera e parë ka qenë në vitin 1994. Kanë qenë kohëra të vështira edhe besoj, se kur më kujtohet ajo kohë. Përparimi edhe të gjithë këto ndryshime që ka bërë Shqipëria është diçka shumë e madhe, të gjithë e dinë se kanë qenë kohë shumë të vështira mirëpo gëzohemi që ecën Shqipëria, sepse gjatë gjithë kohës ne që kemi qenë jashtë Shqipërisë këtë vend e konsiderojmë si atdheun tonë. Kryeqendra e të gjithë shqiptarëve unë e mendoj se ka qenë edhe është Tirana. Koncerti parë ka qenë kënga hit “Nuk jam Alkapone” në Festivalin e RTSH. E që prej atij viti ne vijmë gjithnjë, si për punë edhe për qejf. Më besoni që kemi pasur një pritje gjatë këtij rrugëtimi shumë të mirë në të gjithë Shqipërinë.

Si i keni ndierë diskutimet politike që janë bërë për kufijtë shqiptarë?

I kemi pasur gjithmonë sytë nga Shqipëria, kemi dashur që ta shikojmë përherë mirë edhe më mirë. Kemi qenë në një shtet të ish-Jugosllavisë, që kemi jetuar. Vitet që kemi filluar kanë qenë shumë të vështira për ne, sepse ishim shqiptarë edhe na shihnin me një sy ndryshe. Kur u hap Shqipëria na u hapën mundësitë edhe ne si artistë që të shfaqim të gjithë talentin në trojet shqiptare.

Si vazhdoni që t’i mbizotëroni këtij tregu ku muzika komerciale po bën të vetën?

Ne e kemi gjetur formulën: Publiku si e do ta shikojë Elita 5? Ashtu krijojmë edhe ne. Punojmë edhe me punën tonë besoj se kemi treguar që kemi qenë gjithmonë në rrugën e duhur. Ne në koncertet tona përfshijmë publik të tre gjeneratave edhe besoj se për një artist kënaqësi më të madhe nuk ka.

Cilat janë pritshmëritë e koncertit 7 shtator?

Pritshmëritë janë që ne t’i japim publikut maksimumin, dhe kur të dalim të gjithë të dalin të kënaqur nga ky koncert. Besoj se do t’ja dalim edhe do të mbesim të gjithë të kënaqur.

Dhe së fundmi, një mesazh për të gjithë artistët e rinj që duan që të jenë sa më pranë rrokut?

Të punojnë, të mos dëshpërohen, të bëjnë sa më mirë punën, sepse publiku do ta vlerësojë punën e tyre dhe nëse do të kenë durim do të kenë një jetëgjatësi si Elita 5.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?