Politikë

Emergjencat/ Koçiu: Strukturat do vendosen në një komandë të vetme! Krijojmë Qendrën Kombëtare të Trajnimit të Zjarrfikësve, nisim fushata ndërgjegjësimi

4 Tetor, 09:47| Përditesimi: 4 Tetor, 10:44

  • Share

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi se strukturat si Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile etj do të funksionojnë në një komandë të vetme në raste emergjencash.

"Janë një sërë institucionesh të përfshira në këto procese, duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, e cila është nën përgjegjësinë e MPB, ndërkohë është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e organizuar nën Ministrinë e Mbrojtjes, kemi bashkitë, prefekturat, kemi Forcat e Armatosura, kemi koordinatorët në terren. Secili prej tyre ka një rol absolutisht të pazëvendësueshëm në rastet e zjarreve masive. Pa përmendur pastaj koordinimin ndërinstitucional dhe koordinimin ndërkombëtar me Qendrën Europiane të Koordinimit të Emergjencave. Është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjithë këto struktura të vendosen në një komandë të vetme, kur vjen puna te emergjencat dhe zjarret masive siç tregoi kjo verë që kaluam. Ashtu si në rastin e dispeçerit të Policisë së Shtetit apo në shembullin e Urgjencës Mjekësore, kjo komandë e vetme të jetë në gjendje që: Së pari, të koordinojë si një trup i vetëm të gjithë aksionet dhe perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional apo ndërkombëtar. Së dyti, të maksimizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve. Së treti, të rrisë në mënyrë efektive mbulimin në të gjithë territorin", tha ajo.

Ajo njoftoi edhe krijimin e Qendrës kombëtare të Trajnimit të Zjarrfikësve, si dhe do të nisin së shpejti fushata ndërgjegjësimi nëpër shkolla, për të vijuar më pas edhe në struktura të tjera.

“Për të gjithë këto arsye, në programin tonë qeverisës, për këtë mandat, kemi vënë një fokus të veçantë sa i përket rimodelimit të shërbimin tonë zjarrfikës sipas modeleve më të mira ndërkombëtare.  Sigurisht duke nisur nga rishikimi i kuadrit ligjor në fuqi. Dhe, patjetër, produkt i punës sonë të përbashkët do të jetë dhe Komanda e Qendërzuar, e cila do të punojë e funksionojë me protokollet më të mira europiane, duke iu bashkëngjitur dhe protokolleve që përdorin sot Emergjencat Civile, Policia e Shtetit, Urgjenca Mjekësore, Forcat e Armatosura. Sigurisht që modernizimi i sistemeve dhe protokolleve më të suksesshme janë vetëm njëra anë e medaljes.  Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm janë njerëzit, që punojnë në këtë shërbim. Prandaj do t’i vendosim zjarrfikësit në qendër të ndryshimit dhe vizionit për të ardhmen e këtij shërbimi që i ka të gjithë mundësitë të jetë një shërbim model.

Do të standardizojmë, së pari procedurat e pranimit në këtë shërbim, duke nisur me procedurat e rekrutimit. Do të replikojmë platformat e suksesshme “Mësues për Shqipërinë”, apo “Mjekë e infermierë për Shqipërinë”, duke vendosur edhe punonjësit që punojnë në këtë shërbim në një sitë apo selektim me kritere të qarta, kur vjen puna, me analizë të qartë të formimit periodik, të vlerësimeve bazë të rekrutimit e patjetër, të aftësive të tyre fizike, psikologjike dhe profesionale. Për të siguruar një trajnim të vazhdueshëm në punë, do të krijohet Qendra Kombëtare e Trajnimit të Zjarrfikësve.

Sipas një plani kombëtar mbi bazë kurrikulash të përcaktuara dhe referuar standardeve europiane, të gjithë zjarrfikësit  do të marrin trajnim të vazhdueshëm periodik mbi teknikat dhe metodat më të avancuara të luftës kundër zjarreve. I gjithë procesi duhet të shoqërohet dhe me vendosjen në zbatim të skemave motivuese, për përfitimet e shtuara financiare si dhe mundësi të qarta të ngritjes në karrierë brenda këtij sistemi. E fundit, por jo për nga rëndësia, janë edhe fushatat e vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe të edukimit, të cilat do të nisin që nga shkollat dhe do të vazhdojnë të shtrihen në gjithë komunitetet dhe në çdo strukturë vendore, patjetër për të ndërgjegjësuar për sigurinë nga zjarri dhe për mbrojtjen.", shtoi Koçiu. 


Lajmi kryesor:

Rama: Në tokat e djegura s'ka leje ndërtimi për 30 vite, i rimbjellim përmes dronëve! Dëmshpërblim për dëmet nga zjarri, sigurimi i banesave e bizneseve me ligj nga fatkeqësitë natyrore


Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si ju duket?