Emergjencë në drejtësi/ 11 gjykata mbeten pa drejtues, kryetarët që i ‘dogji’ Vettingu 

21 Mars 2019, 08:10| Përditesimi: 21 Mars 2019, 08:18

  • Share

Një vit nga veprimi i ligjit të Vetingut, pasojat kanë tejkaluar çdo parashikim. Përpos boshatisjes së Gjykatës Kushtetuese dhe mbylljes së Gjykatës së Lartë, 11 gjykata në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit kanë mbetur pa kryetarë. Mbi 40 gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë të të gjitha niveleve janë shkarkuar nga detyra kryesisht për mosjustifikim të pasurive ose kanë dhënë dorëheqjen për t’i shpëtuar Vetingut. Ndërkaq, përmasat e boshatisjes së drejtësisë priten të thellohen çdo javë, pasi deri më sot, në filtrin e trefishtë të Vetingut kanë kaluar vetëm 1/8 e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zëvendësimi i tyre është sfida më e madhe e dy qeverive të gjyqësorit, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Një çështje edhe më emergjente është zgjedhja e kryetarëve të rinj të 11 gjykatave, kryetarët e të cilave u shkarkuan nga detyra. Pa kryetarë kanë mbetur Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, Gjykata e Apelit Civil Durrës, Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata e Rrethit Kurbin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Apelit Civil Korçë. Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, gjatë një mbledhje të këtij institucioni, në 12 dhjetor 2018, ka deklaruar se KLGJ nuk mund të zgjedhë kryetrarët e gjykatave as përkohësisht. Por, Llagami ka pohuar se KLGJ do të operojë me shpejtësi nëpërmjet një rregulloreje që do të mundësojë zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave, të cilët do të ushtrojnë kompetencat e kryetarëve. Por, anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi ka pohuar se nuk ka kohë për të bërë miratimin e rregullores pasi situata është emergjente. Megjithatë, rregullorja është mbështetur nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pavarësisht kohës së domosdoshme që kërkon për t’u vënë në zbatim.

Diskutimet në KLGJ

-Naureda Llagami: Kjo lloj draft-rregullore është në zbatim të ligjit “Për pushtetin gjyqësor”, në zbatim të nenit 26 të këtij ligji dhe bashkëlidhur, ju lutem, keni rregulloren. Ne do të veprojmë në fakt me shumë shpejtësi në këtë lloj situate. Pas miratimit të kësaj rregulloreje, do mundohemi që direkt, gjykatat që kanë probleme lidhur me largimin e kryetarëve, të operojnë në mënyrë sa më të shpejtë për përzgjedhjen e zëvendëskryetarit. Ligji thotë që ne nuk mund të zgjedhim dot kryetarë. Nuk kemi më komandime. Me ligjin e ri kemi vetëm caktime të përkohshme të magjistratëve dhe ka një procedurë shumë të ndërlikuar dhe nuk kemi më kryetarë. Nuk mund të përcaktojmë në mënyrë të përkohshme kryetarë. Me ngritjen e KLGJ-së kemi ligjin “Për pushtetin gjyqësor” i cili na ka detyruar që drejtimi i gjykatës ka ndryshuar komplet funksionin e tij. Pra kemi kryetarin, kemi një zëvendëskryetar i cili janë produkt i mbledhjes së përgjithshme. Pra sot ne do fillojmë aplikimin e këtij rregullimi.

-Brunilda Kadi: Atëherë, mendoj që situata emergjente ka qenë edhe në kohën kur u veprua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me komandimet sepse zgjedhja e personit që përfaqëson gjykatën është emergjente që orën e parë që gjyqtari që ka ushtruar këtë detyrën është shkarkuar. Sepse sipas ligjit, në atë moment ai nuk e ushtron më funksionin e gjyqtarit, rrjedhimisht edhe të kryetarit. Emergjencat se çfarë ka gjykata, të gjithë ne i dimë. Kështu që unë mendoj që nuk ka kohë për të bërë miratimin e rregullores dhe pastaj të thërritet e gjithë kjo procedura që është e parashikuar, e cila besoj kjo që është propozuar është në përputhje me ligjin. Mendoj që të gjithë ne kemi nevojë për kohë për të miratuar sepse ky është një akt normativ dhe nëse ne e miratojmë me nxitim, pastaj nuk ka sens që ta korrigjojmë më vonë, vetëm me arsyetimin që s’kishim kohë që të lexonim. Por ajo që është më emergjente për mendimin tim është që ne nuk kemi kohë që të veprojmë me këtë procedurë. Çfarë do ndodhë, nëse sot në gjykatat që janë pa përfaqësues shkon një situatë emergjente, kush do nënshkruaj në emër të gjykatës sot, në këtë moment, në tre gjykatat që janë pa kryetar? Ka qenë kjo arsyeja pse është diskutuar dhe është vendosur edhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë që është vepruar me komandim. Që është një situatë e paparashikuar shprehimisht nga ligji sepse në kohën kur u bënë ligjet nuk u mendua kjo situatë. Kështu që unë mendoj që nuk mund të ecim me këtë procedurën për të miratuar rregullat dhe pastaj që të mblidhen këshillat e gjykatave e të respektohet e gjithë kjo rregullore për t’u zgjedhur zëvendëskryetari. Nuk e di se kush mund të japë përgjigje nga ju se çfarë ndodh sot në këtë moment në një gjykatë që është pa kryetar se kush do firmosë në emër të gjykatës. Bëhet fjalë, le të themi, për masat e sigurimit.

-Ilir Toska: Me sa kuptova, kuptoj që kjo është zgjidhja më optimale në raport me ligjin, që të zgjedhim një zëvendëskryetar, që këshillat, gjyqtarët të zgjedhin një zëvendëskryetar që duhet të jetë aty përherë, ndërkohë që kryetari, për sa kohë ka procedura, tashmë sipas ligjit, që kërkojnë kohë, mund t’i ngelet kohës. Nuk kuptoj shqetësimin e Brunës sepse ku është emergjenca e qenies për dy ditë apo për një ditë, apo për pesë ditë e kryetarit.

-Brunilda Kadi: Kur të vijnë përgjegjësitë pastaj, kuptohemi.

-Ilir Toska: Nëse vazhdoni kështu, nuk është se kuptoj gjë.

-Brunilda Kadi: Unë dhashë mendimin tim.

-Ilir Toska: Mund të thoni se kush është emergjenca.

-Brunilda Kadi: Okej, kur s’e dini juve, çfarë të them unë?!

-Ilir Toska: Mund të ma thoni ju, se s’është ndonjë problem. Kush është emergjenca që kryetari duhet patjetër...

-Brunilda Kadi: Unë di që kryetarët e gjykatave çdo moment janë duke nënshkruar dokumente. Dhe mendo, që të gjitha janë të rëndësishme. Pyetja ime është, -kush do t’i nënshkruaj këto dokumente, që në këtë moment që jemi duke folur?

-Ilir Toska: Po mund të më thoni kush janë dokumentet, se për këtë po ju pyes.

-Brunilda Kadi: Ah, këtë pastaj e quaj nivel i ulët që ta diskutoj se kush janë dokumentet. Se çfarë nënshkruhet nëpër gjykata, të gjithë e dimë.

-Dritan Hallunaj: Atëherë, në radhë të parë, ashtu siç u relatua nga ana e Kryetares, ne jemi në pamundësi që të kryejmë një komandim të tillë, pasi ligji nuk na e njeh një të drejtë të tillë. Unë çmoj që prezantimi i këtij drafti, pavarësisht se jemi në një kohë, pra që duhet të ishim njohur edhe pak më përpara, por për vetë emergjencën unë shoh që është mënyra më e përshtatshme për momentin që të vijojmë.

-Erjon Muharremaj: Në gjykimin tim personal, KLGJ-ja sot nuk mund të marrë përsipër kompetenca që nuk i njeh ligji. Pavarësisht asaj çfarë ka bërë KLD-ja më përpara. KLD-ja ka përfunduar veprimtarinë e vetë. Që dje, vepron Këshilli i Lartë Gjyqësor, së pari. Së dyti, në kushtet kur neve nuk komandojmë dot kryetarin, duhet të tregohemi pragmatist. Qëllimi ynë këtu është t’i japim zgjidhje situatave emergjente. Jemi përpara situatave emergjente.

-Brunilda Kadi: Sot nëpër gjykata mund të jetë një kërkesë për sigurim padie dhe gjyqtarit që i ka rënë çështja kërkon të heqë dorë. Nesër dhe pasnesër është e shtunë dhe e diel. Të hënën... nuk e di si është imagjinata, se si do zbatohet kjo rregullorja edhe sikur të miratohet sot. Afati që duhet të zgjidhet kjo, i dini vetë afatet. Unë nuk e di se kush do mbajë përgjegjësi pastaj se çfarë do bëhet me atë padinë e atij qytetarit që do t’i cenohet një e drejtë themelore.

-Brikena Ukperaj: Jam dakord me pjesën e... shpreh mendimin që duhet të operohet shpejt që Këshillat të zgjedhin zëvendëskryetarët e gjykatave, por kemi edhe një situatë tjetër që duhet ta kemi parasysh. Ne kemi shumë gjykata me kryetarë që u ka mbaruar mandati, që vazhdojnë dhe ushtrojnë funksionet, firmosin, ndërkohë që u ka mbaruar mandati. Po kështu kemi edhe shumë gjykata me kryetarë gjykatash të komanduar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ish KLD, për të cilën nuk jam në dijeni se si janë shprehur në këto vendime, dhe kam frikë se do kemi përballë një konflikt kompetencash pastaj midis zëvendëskryetarit dhe këtyre kryetarëve që vazhdojnë funksionet me mandate të mbaruara apo të komanduar nga KLD-ja. Sepse zëvendëskryetari do jetë i zgjedhur nga Këshilli, sipas ligjit të ri, ndërkohë që kryetarët vazhdojnë ushtrojnë funksionet pa mandat ose mbi bazën e një vendimi komandimi, që ne sot vendosëm që s’mund ta bëjmë sipas ligjit.

-Brunilda Kadi: Atëherë, jam pro në parim, por duhet të na jepet një kohë minimale që ta studiojmë, se nuk mund të miratojmë një rregullore kështu meqë na erdhi nga stafi dhe hajde ta miratojmë. Kërkoj një kohë minimale edhe sikur të rrimë deri në 12 të natës që ta miratojmë.

-Erjon Muharremaj: Numri i votave e miratoi tashmë rregulloren, kështu që.

-Naureda Llagami: Atëherë, rregullorja u miratua me shumicën e votave.

Vakanca

Një vit nga veprimi i ligjit të Vetingut, pasojat kanë tejkaluar çdo parashikim. Përpos boshatisjes së Gjykatës Kushtetuese dhe mbylljes së Gjykatës së Lartë, 11 gjykata në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit kanë mbetur pa kryetarë.

Divergjencat

Anëtarja e KLGJ Brunilda Kadi ka pohuar se nuk ka kohë për të bërë miratimin e rregullores pasi situata është emergjente. Megjithatë, rregullorja është mbështetur nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kryetarët e gjykatave që u ‘dogjën’ nga Vetingu

  1. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
  2. Arben Zefi, kryetar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër
  3. Alltun Çela, gjyqtar/kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë
  4. Admir Belishta, kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë
  5. Izet Kadana, kryetar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë
  6. Petrit Çeno, kryetar i Gjykatës së Apelit Civil Durrës
  7. Hysni Demiraj, kryetar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
  8. Alfred Gjoni, kryetar i Gjykatës së Rrethit Kurbin.
  9. Agron Vavla, ​kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat
  10. Alma Liçaj, kryetare e Gjykatës së Apelit Vlorë
  11. Entela Prifti, kryetare e Gjykatës së Apelit Civil Korçë

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Populli: 22/03/2019 08:15

    Per sa kohe nuk eshte shkarkuar Zhezair Zagari te gjithe shumzohen me zero

    Përgjigju
  • erma: 21/03/2019 11:03

    ligjeron brunilda kadi, e cila me fatrine e berishes s la prone ne kembe...hajdute te ndyre!!! kryetaret e tjere kur do ti shkorkoni o KPK E degjeneruar?!!!

    Përgjigju
  • Nikolin: 21/03/2019 10:35

    Iken hajdutet dhe kriminelet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?