Emigrimi drejt Britanisë, thirrja e ambasadorit britanik: Mos shkatërroni jetën tuaj duke u zhytur në borxhe me reklama Tik-Toku!

8 Qershor 2023, 21:28| Përditesimi: 8 Qershor 2023, 21:37

  • Share

 

Ambasadori britanik në Shqipëri, nga ekrani i Report Tv pati një thirrje për të gjithë të rinjtë që tentojnë ose e kanë në plan të emigrojnë drejt Britanisë dhe nxiten nga reklamat në rrjete sociale që e ofrojnë këtë me 4000-5000 paund. I vetëdijshëm se të rinjtë zhyten në borxhe vetëm që të paguajnë trafikantët e të shkelin në tokën britanike, i bën thirrje që të mos e shkatërrojnë jetën e tyre.

Ai i fton që të shohin mundësitë e vizave dhe të aplikojnë duke qenë se ofrojnë skema punësimi në sektorin e ndërtimit, në shëndetësi apo bujqësi.

“Shqetësohemi edhe për risqet që i kanosen të rinjve kur më pas tërhiqen në botën e drogës dhe krimit, kur tërhiqen në ekonominë gri ku edhe mund t’i shfrytëzojnë. E gjithë ideja është që ne duam që njerëzit të vijnë në mënyrë të ligjshme. Për këtë arsye kemi vënë në dispozicion edhe viza, veçanërisht për profesionet me përparësi ku kemi mangësi në tregun e punës. Dhe një nga mesazhet e mia për njerëzit është se një vizë pune kushton vetëm 300 Euro, nëse doni të shkoni dhe punoni në shëndetësi, nëse doni të shkoni dhe të punoni në bujqësi. Ndërsa tani kemi shtuar edhe sektorin e ndërtimit. Dhe e di se disa biznese shqiptare në sektorin e ndërtimit në MB më parë mendonin se nuk sillnin dot të afërm apo punëtorë nga Shqipëria për të punuar në bizneset e tyre. Tani mund ta bëjnë fare mirë përmes kësaj skeme. Pra i nxis njerëzit të shohin mundësitë e vizave dhe të aplikojnë. Përdorini këto mundësi punësimi, sepse në këtë kuadër ka vende pune. Por mendoni pak edhe si mund të keni sukses në Shqipëri, mos e lejoni veten të shfrytëzoheni nga reklamat e Tik-Tok-ut që thonë se në MB është fushë me lule dhe gjithçka është e lehtë. Duhet të bëni zgjedhje shumë realiste. Mos u bazoni vetëm tek mediat sociale.

Njerëzit mendojnë se nëse shkojnë në mënyrë të paligjshme do të gjejnë një punë fare lehtë. Nuk është kështu, mund të shkatërroni jetën tuaj. Herët a vonë do të kapeni dhe do përballeni me situata që tashmë i dimë. Njerëzit do të riatdhesohen shpejt, siç po shohim edhe tani. Njerëzit po kthehen dhe po pranojnë që kanë bërë gabim. Nuk mund të kthehen më në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk shkojnë dot në Evropë për tre vjet dhe kanë shkatërruar jetën dhe janë zhytur në borxh. Përse të marrësh borxh 3000, 5000 Euro, kur faktikisht viza kushton vetëm 300 Euro. Më duket shumë e çuditshme”, tha King-Smith.   


Lajmi kryesor:

Emigrantët shqiptarë në Britani, ambasadori britanik: Të rinjtë të mos shkatërrojnë jetën e tyre prej reklamave në Tik Tok! Aplikoni për viza pune


//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?