TIRANË- Partia Socialiste i ka kushtuar një vëmendje të veçantë qarkut të Tiranës, ndërsa ka nisur punën për zgjedhjet parlamentare 2025. Si qarku më i madh dhe që nxjerr edhe numrin më të madh të deputetëve, për herë të parë kryesocialsiti Edi Rama ia beson 3 drejtuesve politikë.
Erion Veliaj u konfirmua si drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, i cili në zgjedhjet vendore të 2023 fitoi 4 nga 5 bashkitë, përveç asaj të Kavajës. Krahas tij në terren do të zbresin edhe Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, e cila në zgjedhjet parlamentare udhëhoqi fitoren historike të PS në Shkodër. Kjo bashki për herë të parë në historinë e pluralizmit politik u fitua nga PS, ndërsa tashmë betejën për qarkun e Shkodrës në zgjedhjet 2025, Rama ia besoi kryebashkiakut Benet Beci.
Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosit nuk i është besuar asnjë qark, ndërsa ai drejtonte qarkun e Vlorës, pas largimit të Arben Ahmetajt nga çdo post drejtues i PS për shkak të llogarive me drejtësinë. Në Vlorë është dërguar Bledi Çuçi, i cili në 2021 ishte në Berat. Kryesocialisti Rama ia besoi qarkun e Beratit kryebashkiakut Ervin Demo.
Nga qarku i Elbasanit ikën Damian Gjiknuri, i cili po ashtu mbetet pa qark, ndërsa është caktuar sekretar Organizativ dhe i Zgjedhjeve. Vendi i tij zëvendësohet me Arbian Maznikun, i cili iu bashkua kabinetit qeveritar të Ramës si ministër i Shtetit për Pushtetin vendor më shtator 2023.
Taulant Balla po ashtu mbetet pa drejtimin e asnjë qarku duke u larguar nga Fieri. Pas largimit si ministër të Brendshëm, Rama i ka deleguar në këto zgjedhje një detyrë të re, atë të shefit politik për Diasporën, nisur edhe nga ndryshimet e reja zgjedhore që lejojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet 2025. Qarku i Fierit do të udhëhiqet nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila largohet nga Dibra. Në listën e drejtuesve politikë futet edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja që do të udhëheqë qarkun e Dibrës.
Katër drejtues politikë janë konfirmuar në të njëjtat qarqe që iu besuan në vitin 2021. Ulsi Manja në Lezhë, Pandeli Majko në Kukës, Niko Peleshi në Korçë dhe Mirela Kumbaro në Gjirokastër.
Ndërkohë, qarku i Durrësit i besohet kryebashkiakes Emirjana Sako, e cila në zgjedhjet 2023 udhëhoqi fitoren në tre bashkitë. Nga Durrësi ikën Ardian Çela, të cilit Rama kësaj radhe nuk i ka dhënë drejtimin në asnjë qark.
Foto: Erion Veliaj, Taulant Balla dhe Lindita Nikolla
Pasi u caktua si drejtues politik për Diasporën në Në Asamblenë Kombëtare të PS, Taulant Balla me anë të një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar të gjithë shqiptarët e diasporës si kontributorët më të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 33 vitesh.
“Shumë i motivuar të ribashkohem me anëtarët e Asamblesë Kombëtare, të zgjedhur nga strukturat tona në diasporë. Një rifalenderim atyre mijëra bashkëatdhetarëve në Greqi dhe Itali, për takimet e mëdha në pranverë me Kryeministrin Rama.
Për herë të parë në pranverën e ardhshme shqiptarët jashtë kufijve do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe ku punojnë, falë vulosjes së kësaj të drejte në Kodin zgjedhor të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë pak javë më parë.
Shqiptarët e diasporës janë kontributorët më të mëdhenj në ekonominë kombëtare prej 33 vitesh dhe më në fund ka ardhur dita ta ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes së anëtarëve të Kuvendit dhe për udhëheqjen e Shqipërisë. Shqipëria është shtëpia juaj jo vetëm për të ndihmuar por edhe për të votuar dhe nëse nuk vijnë për të votuar këtu, në pranverë 2025 do ta dërgojnë votën me postë për të vendosur së bashku si një familje e madhe se kush dhe si duhet t’i drejtojë dhe t’i ndjekë punët e atdheut tonë të përbashkët”, shkruan Balla.
Më tej ai tregon edhe rrugëtimin e tij politik duke theksuar se Partia Socialiste dhe votuesit e saj e kanë mbështetur në çdo hap.
“Dy fjalë për këtë detyrë të re në familjen time politike, Partinë Socialiste. E kam nisur karrierën në PS si një anëtar i thjeshtë në shtator 1994 (fiks 30 vite më parë) dhe hap pas hapi kam marrë nga kjo parti dhe votuesit e saj aq shumë mbështetje, duke kulmuar në zgjedhjet e fundit, nder që dua vetëm t’ia kthej cdo ditë me gjithë forcat e mia.
Siç e kam thënë dhe herë të tjera, nuk i kam dashur dhe nuk i dua kurrë ata që e harrojnë nga janë nisur dhe nuk shikojnë sa vite e sa punë ka akoma përpara. Sot mu besua një detyrë tjetër e rëndësishme si Drejtues Politik i partisë më të madhe të gjithë shqiptarëve, kudo ku jetojnë shqiptarët në mbarë botën. Ndihem edhe më i motivuar se çdo herë tjetër sepse dhe sfida është më e vështira për zgjedhjet e pranverës.
Mirënjohje pafund kryeqytetit të socialistëve, Qarkut Fier, për punët e mëdha dhe fitoret e bukura që realizuam së bashku”, përfundon ai.
Foto: Elisa Spiropali
Me emra të rinj, Partia Socialiste do të shkojë në zgjedhjet e 2025 me drejtues të rinj politikë për qarqet. Në Asamblenë Kombëtare të Partisë, kryesocialisti Edi Rama ka deleguar emra të rinj për punën drejt zgjedhjeve parlamentare të pranverës së ardhshme.
Për Tiranën, drejtimi politik i fushatës i është besuar Elisa Spiropalit në bashkëpunim me Erion Veliajn dhe Ogerta Manastirliun.
Në një postim në rrjetet e saj sociale Spiropali shpehet se është e nderuar për marrjen e detyrës së drejtimit politik në qarkun e Tiranës ku dhe këtë herë, objektivi do të jetë fitorja.
"Asambleja e Partisë Socialiste, platformë e vizionit të një Shqipërie moderne, progresiste e europiane.
E nderuar të marr detyrën e drejtimit politik në qarkun e Tiranës së bashku me Erion Veliajn dhe Ogerta Manastirliun. Edhe këtë herë, ashtu si ngaherë: për fitore!
Qarku i Shkodrës do të ketë gjithnjë një vend të veçantë tek unë.
Urime dhe suksese të gjithë të zgjedhurve në Kryesi dhe Sekretariat", shkruan Spiropali.
Benet Beci dhe Edi Rama në fushatën e zgjedhjeve 2021, foto arkiv
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar në një postim në rrjetet sociale pasi kryeministri Rama i besoi drejtimin e qarkut të Shkodrës në garën për zgjedhjet parlamentare 2025. Beci falënderon Ramën për besimin, ndërsa thotë se do japë maksimumin për këtë detyrë sfiduese në rrugën pakthim për zhvillimin e Shkodrës.
“Janë emocione të përziera këto të sotmet, kur Kryeministri Edi Rama sapo më ngarkoi me një detyrë të rëndësishme, sfiduese e krejt të re për profilin tim. Jam thellësisht falënderues për mundësinë dhe besimin për të qenë koordinator politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës.
Padiskutim z.Rama, por veçanërisht qytetarëve të Shkodrës e bashkëpunëtorëve të mi. Falë jush, rrugëtimi ynë i përbashkët në politikë, prej prillit të 2021 po rezulton i duhuri. Ndjehem gjithashtu i shpërblyer për modelin tonë të të bërit politikë.
Duke u fokusuar te puna dhe pozitiviteti, te aftësitë dhe vullneti për ta zhvilluar rajonin tonë, duket se po sjellim bashkë mundësi të reja. Por sot ndjehem edhe i sfiduar, si dikush që merr përsipër për herë të parë përgjegjësi, në një fushë ku përpara kanë kontribuar njerëz me përvojë më të gjatë.
Me shumë dëshirë, motivim dhe besim do t'i kushtohem edhe kësaj detyre, për të dhënë maksimumin në një rrugë tashmë të pakthim, atë të zhvillimit për Shkodrën si bashki e si qark. Kam nevojë për mbështetjen e çdo anëtari të partisë, çdo kontribuuesi në vite e çdo qytetari në qarkun tonë.
Nuk do të jetë e lehtë, por kjo e jona duhet dhe do të jetë rruga drejt zhvillimit pa kthim, siç Shkodra e meriton. Ne duhet e do të jemi të gjithë bashkë, sepse Shkodra është e para. Faleminderit”, shkruan Benet Beci.
Damiani ne Vlore beri deme te medha si elefantet kur shkelin te mbjellat.Coi spiunat hajdutet bastardet ne vende kyce ne administrate,Pafund deme pafund
PërgjigjuShame pd se ska risi, po këtu ku jame risitë? Sirros dhe g99 shoh unë
PërgjigjuShyqur e hoqen Gjiknurin se cfare nuk beri ne Vlore
PërgjigjuShyqyr e hoqen kete Damianin sepse ra dakord qe ne Vlore te hiqeshin nga puna e te vendoseshin ata qe deshironte Vilma Bello
PërgjigjuKomentoj suksese Drejtuesve politike une kandidoj i pavarur me 21000 vota te mbështetur nga diaspora dhe bindja demokratike
Përgjigju