Benet Beci dhe Edi Rama në fushatën e zgjedhjeve 2021, foto arkiv
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar në një postim në rrjetet sociale pasi kryeministri Rama i besoi drejtimin e qarkut të Shkodrës në garën për zgjedhjet parlamentare 2025. Beci falënderon Ramën për besimin, ndërsa thotë se do japë maksimumin për këtë detyrë sfiduese në rrugën pakthim për zhvillimin e Shkodrës.
“Janë emocione të përziera këto të sotmet, kur Kryeministri Edi Rama sapo më ngarkoi me një detyrë të rëndësishme, sfiduese e krejt të re për profilin tim. Jam thellësisht falënderues për mundësinë dhe besimin për të qenë koordinator politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës.
Padiskutim z.Rama, por veçanërisht qytetarëve të Shkodrës e bashkëpunëtorëve të mi. Falë jush, rrugëtimi ynë i përbashkët në politikë, prej prillit të 2021 po rezulton i duhuri. Ndjehem gjithashtu i shpërblyer për modelin tonë të të bërit politikë.
Duke u fokusuar te puna dhe pozitiviteti, te aftësitë dhe vullneti për ta zhvilluar rajonin tonë, duket se po sjellim bashkë mundësi të reja. Por sot ndjehem edhe i sfiduar, si dikush që merr përsipër për herë të parë përgjegjësi, në një fushë ku përpara kanë kontribuar njerëz me përvojë më të gjatë.
Me shumë dëshirë, motivim dhe besim do t'i kushtohem edhe kësaj detyre, për të dhënë maksimumin në një rrugë tashmë të pakthim, atë të zhvillimit për Shkodrën si bashki e si qark. Kam nevojë për mbështetjen e çdo anëtari të partisë, çdo kontribuuesi në vite e çdo qytetari në qarkun tonë.
Nuk do të jetë e lehtë, por kjo e jona duhet dhe do të jetë rruga drejt zhvillimit pa kthim, siç Shkodra e meriton. Ne duhet e do të jemi të gjithë bashkë, sepse Shkodra është e para. Faleminderit”, shkruan Benet Beci.
Lajmi kryesor:
Zgjedhjet 2025/ Drejtuesit politikë të PS! Veliaj, Spiropali e Manastirliu në Tiranë, ikën Klosi e Gjiknuri! Becit i besohet Shkodra, Sakos Durrësi! Balla përgjegjës për Diasporën
SI.E./ReportTv.al