Sarandë- Një 61-vjeçar nga Pogradeci ka gjetur “oazin” e tij për të fituar para në mënyrën më të lehtë, duke grabitur pushuesit në bregdetin e Sarandës.
Por Komisariati i Policisë njoftoi sot (25 Gusht) se arrestoi të dyshuarin Fatos Muço, për akuzën e “vjedhjes me dhunë”.
Nga hetimet paraprake rezulton se ditën e djeshme (24 Gusht), në lagjen nr. 2, Sarandë, ai ka vjedhur me dhunë një shumë parash dhe një USB nga automjeti i një shtetaseje dhe është larguar me vrap.
“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, 61-vjeçari është identifikuar dhe arrestuar”, thanë burime zyrtare, pasi morën denoncimin nga e dëmtuara.
Hetimet për rastin i kaluan prokurorisë vendore, teksa po krahasohen gjurmët daktiloskopike të të ndaluarit, nëse është i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale të ngjashme.