Vlorë- Një 48-vjeçar është arrestuar sot (21 Shtator) nga Policia e Vlorës, pasi akuzohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij dhe më pas ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
I ndaluari është Bujar Ismailaj, kurse ngjarja ka ndodhur në fshatin Akërni. Policia bëri me dije se “ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në familje”. Policia ndau edhe pamjet e kapjes, teksa shtriu përtokë të dyshuarin dhe e prangosi.
Burime zyrtare bënë me dije se i dyshuari pas krimit ka tentuar të arratisej me një makinë, teksa me vete kishte edhe një sasi lënde narkotike, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
I dyshuari gjithashtu ka vënë në rrezik edhe jetët e banorëve të fshatit teksa qëllonte me armën automatike “Kallashnikov”, që e mbante pa leje.
Arrestimi i Ismailajt u bë nga forca “Shqiponja”. Si provë u sekuestrua edhe arma automatike dhe një sasi municioni me fishekë.
“Pas marrjes së njoftimit në orët e mëngjesit (e shtunë, 21 Shtator)se një shtetas po kërcënonte për jetën bashkëshorten e tij duke qëlluar me armë zjarri në ajër, në fshatin Akërni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit”, njoftoi policia vendore.
Operacioni u kodua “Strike 22”, kurse dosja me materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme, me akuzat e kanosjes, dhunës në familje, armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.