E ftuar në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte mjekja endokrinologe Dr.Tea Shehu Kolnikaj, e cila punon pranë Spitalit Amerikan 3 në Tiranë.
Ajo foli për hipofizën, rëndësinë e saj dhe kujdesin që ne duhet të tregojmë ndaj vetes.
“Gjendra tiroide është një gjendër efektore në trupin tonë. Në hipofizë prodhohet hormoni i rritjes dhe prolaktina. Hormonet FSH dhe LH janë dy hormone shumë të rëndësishme për trupin. Hipofiza ka edhe anën e vet të pasme, që quhet hipofiza posteriore, ku prodhohet oksitocina.Ka disa medikamente antidepresive që rrisin prolaktinën”, u shpreh ajo.
Mjekja foli edhe për tumoret e hipofizës, ku duhen bërë kontrollet paraprake, pasi hormonet shpesh janë përgjegjëse. Sipas mjekes, duhet një kontroll rutinë i hipofizës, e cila duhet të jetë në fokus gjithmonë, edhe pse është e vogël sa një bizele.
Jo të gjitha rastet kanë nevojë për kirurgji, por shpesh duhet një trajtim me medikamente që kanë efekte pozitive në organizëm, veçanërisht tek vajzat. E rëndësishme është që të ketë një kontroll tek ekspertët e fushës.
Endokrinologjia është një fushë e gjerë dhe duhet të tregohet kujdes në ekzaminime, pasi dizbalanca hormonale ka pasoja për të gjithë organizmin.
E ftuar në studio në emisionin “Klinika 24” në Report TV, me moderatore Doreada Mio, ishte doktoresha Nereida Xhabia, mjeke kardiologe, e cila foli për sindromën e zemrës së thyer.
Sipas studimeve, kjo nuk është një metaforë, por fenomeni ekziston vërtet.
“Kur përmendet për herë të parë, njerëzit mendojnë se është një fiksion, por nuk është kështu”, tha mjekja në fillim të bisedës.
Në rast se personi përjeton një goditje të fortë psikologjike, si humbja e një të afërmi apo divorci, mund të ndodhë si fenomen. Paraqitja e pacientit ngjan me një atak në zemër. Sipas mjekes, kjo ndodh për shkak të bllokimit të enëve të gjakut dhe gjendjes psikoemocionale; mund të krijohen probleme kardiake që më parë nuk kanë qenë.
Ka dhe shkaktarë fizikë, veç atyre emocionalë. Mjekja tha se stresi është një nga faktorët kryesorë që shkaktojnë sindromën e zemrës së thyer.
“Stresi kronik çon në dobësimin e muskulit të zemrës, gjë që shkakton anomali”, shtoi mjekja.
Një pjesë e muskulit të zemrës, kryesisht maja e zemrës, bëhet si një tullumbace, duke dalë jashtë funksioni totalisht. Mjekja tha se e sheh të nevojshme që njeriu të jetë i gatshëm për të përballuar problemet e shëndetit mendor, ndaj duhet bërë punë me veten.
“Ka shumë gjasa që një personi që i ka ndodhur njëherë, ky sindrom t’i përsëritet nëse nuk fiton disa mekanizma mbrojtës mendorë”, shtoi mjekja.
Zakonisht, mjekja shpjegoi se nga ky sindrom preken moshat e mesme dhe se ajo ka pasur dy raste të tilla, por fatmirësisht nuk kanë përfunduar me fatalitete, por janë stabilizuar.
Komente
