Drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik dhe Demokratëve Euroatlantikë, Endri Hasa tha sot në ‘Repolitix” në studion e Report Tv, se në zgjedhje nuk kanë dalë për të bërë opozitën e opozitës, por një konkurrencë për të fituar një garë kundër qeverisë.
Ai shprehu mbështetjen ka rezerva ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut, pavarësisht se kush është personi që hetohet dhe gjykohet.
Hasa solli në vëmendje faktin se kreu i koalicionit, Lulzim Basha, ka qenë i vetmi që ka propozuar në Parlament ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve, si dhe vettingun në politikë, por që janë refuzuar.
“Koalicioni Euroatlantik hyn në zgjedhje për të fituar zgjedhjet. Ata që nuk janë në partinë tonë nuk i quajmë opozitë, por konkurrent. Ne kërkojmë votën për numrin katër. Opozitën me qeverisjen e bëjmë çdo ditë, edhe në fushatë, për keqqeverisjen e Ramës në 12 vjet. Mbështetja jonë për SPAK-un dhe drejtësisë është ka ekuivok, mbështetje e plotë. Kur flet drejtësia, politika duhet të heshtë”, u shpreh ai.
Dhe solli në vëmendje disa nga nismat e koalicionit që përfaqëson ndër vite, në mbështetje të drejtësisë dhe për një Shqipëri drejt të ardhshmes. Në lidhje me dosjen “Partizani” dhe hetimin e Berishës, Hasa tha se “kur flet gjykata, politika hesht” dhe “të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit e drejtësisë”.
“Lulzim Basha ka depozituar personalisht ligjin për heqjen e imunitetit të deputetëve në Parlament, që u rrëzua. Nëse ai ligj do ishte miratuar, Arben Ahmetaj nuk do ishte arratisur duke përfituar nga ai imunitet, por do përballej me drejtësinë, në dyert e SPAK. Ashtu sikurse është edhe vettingu në politikë, që duhet të bëhet. Ne jemi në mbështetje të drejtësisë edhe nëse SPAK troket në derën tonë, pa asnjë dallim”, tha Hasa mes të tjerash.
Ai vuri në dukje se nëse vota shkon për Sali Berishën, shkon për të bërë Metën deputet dhe e nxjerr nga Burgu 313-të.
“Koalicioni Euroatlantik e bazon fushatën në program real kombëtar. Lufta kundër korrupsionit është primare. Kush abuzon me pushtetin duhet të hetohet dhe të përballet me drejtësinë.
Sot është fakt se PD-ja kërkon votën për të bërë deputet Ilir Metën, e për ta nxjerrë atë nga 313-ta. E bëjnë hapur, thjeshtë dhe qartë. Gjithsecili përgjigjet vetë para drejtësisë për atë që ka bërë. Ne nuk i kemi diskutuar kurrë vendimmarrjet e gjykatës dhe drejtësisë”, argumentoi ai.
Komente
