Dokumenti i Institutit Parlamentar për deputetët e Shqipërisë, ku iu propozohej që mes figurave kombëtare që mund të nderoheshin gjatë muajit tetor, ishte edhe diktatori Enver Hoxha, ka ngjallur reagime të ashpra nga shoqata, politikanë e njerëz të botës së televizionit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka kërkuar sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve distancimin e plotë të institucionit nga ky vendim duke shprehur se kjo është një fyerje e hapur për besnikërinë e shqiptarëve për të falur dhe jo për të harruar.
Gjekmarkaj nuk kurseu as akuzat duke thënë se në mesin e anëtarëve të Partisë Socialiste, ka hetues të komunizmit dhe se kjo parti është prodhim i Partisë së Punës.
“Ju duhet të mbani përgjegjësi morale për futjen e figurës së Enver Hoxhës në analet Kuvendit të Shqipërisë. Po kujtoj këtu atë qe ka thënë Dritëro Agolli "Partia Socialiste ka lindur nga mitra e përgjakur e Partisë Punës". Ju këtu jeni trashëgimtarë të asaj diktature, në grupin tuaj parlamentar ka hetues të komunizmit. Prandaj ajo çfarë ka ndodhur në Kuvend fyen besnikërinë e shqiptarëve për të falur e jo për të harruar. Fyen kujtimin e martireve. Prandaj është në nderin tuaj të distancoheni”, tha Gjekmarkaj.
Çudia e Instituti Parlamentar, në varësi të Kuvendit, është se në përshkrimin që bëjnë për diktatorin Hoxha, e cilësojnë thjesht si Udhëheqës i Partisë Komuniste, apo si ‘Hero i Popullit’ dhe ‘Hero i Punës Socialiste’, sikur të mos kishte urdhëruar pushkatime, internime e burgosje masive.
Ajo që ka ngjallur më shumë zemërim është se figura e Enver Hoxhës është renditur përkrah figurave të mëdha të letërsisë dhe historisë shqiptare, si Dritëro Agolli, Naim Frashëri dhe Sulejman Delvina.
Pas polemikave të shumta, Kuvendi i Shqipërisë reagoi për Report Tv duke sqaruar se Instituti Parlamentar ka ”shpërndarë një material që përfshin datat e lindjes dhe të vdekjes të disa figurave të historisë të shtetit shqiptar përgjatë muajit tetor, i bazuar tërësisht në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”. Kuvendi thotë se nuk ka planifikuar zhvillimin e ndonjë aktiviteti të veçantë në lidhje me figurat e përmendura në material.
Komente
