Bota

Episodi i rrallë/ Dy presidentë brenda një limuzine, Vladimir Putin udhëtoi me ‘Bishën’ e Trump (VIDEO)

15 Gusht, 22:18| Përditesimi: 15 Gusht, 22:34

  • Share

Edhe pse takimi mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit Vladimir Putin nuk do të mbahej më në mënyrë private, siç ishte parashikuar fillimisht, një episod i pazakontë ndodhi gjatë rrugëtimit të tyre drejt vendit ku do zhvillohej samiti: dy liderët udhëtuan vetëm, pa përkthyes, brenda “Bishës”, automjetit presidencial të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë 10 minutave që u deshën për të mbërritur në vendin e takimit, ku më pas u bashkuan me nga dy këshilltarë secili, Trump dhe Putin patën mundësinë të bisedonin vetëm.

Brenda mjetit ndodheshin vetëm shoferi dhe një agjent i Shërbimit Sekret. Putin ishte ulur në sediljen e pasme në të majtë, ndërsa Trump në të djathtën. Disa pamje të kapura fshehurazi tregojnë presidentin rus duke buzëqeshur.

Është praktikisht e pamundur të dihet se çfarë u tha në atë bisedë, gjë që vetëm shton misterin rreth diskutimeve private mes dy liderëve.

Një episod i tillë është jashtëzakonisht i rrallë: liderët e dy superfuqive që udhëtojnë në të njëjtin automjet.

“Bisha” është supermakina presidenciale e SHBA dhe një nga mjetet më të sigurta të transportit në botë.

“Bisha” ka specifika që mbahen sekrete. Dihet vetëm se është e aftë të përballojë shpërthime të bombave të vendosura në tokë. Specifikimet e motorit mbeten të fshehta. Sipas ekspertëve, mund të jetë një motor benzine V8 Vortec 8,1 litra ose një turbodiesel V8 Duramax 6,6 litra.

Makina përdor goma të përforcuara për të mbajtur peshën e saj të vlerësuar mes 7 dhe 9 tonëve. Për këtë arsye, shpejtësia maksimale nuk pritet të kalojë 100 km/orë, por automjeti nuk ndalon as në rast shpimi të gomës.

Rezervuari i karburantit është i mbuluar me një mbrojtëse speciale kundër zjarrit. Ka xhama antiplumb, të trashë 15 cm, dyer të ngjashme me ato të një Boeing 757 dhe doreza të elektrizuara.

Brenda ndodhen bombola oksigjeni, që mbrojnë pasagjerët nga sulmet kimike. Kabina është plotësisht e izoluar nga jashtë, ndërtuar me materiale speciale si çeliku, alumini, titani dhe qeramika.

Në bord ka edhe një frigorifer me rezerva gjaku të njëjtë me grupin e gjakut të presidentit amerikan, si dhe furnizime mjekësore për çdo emergjencë. Sistemet e komunikimit janë të koduara dhe të lidhura me të gjithë qendrat e pushtetit amerikan, me dy linja gjithmonë aktive: një me zëvendëspresidentin dhe një me Pentagonin.

Për ta drejtuar këtë makinë, duhen kaluar një sërë testesh të veçanta. Shoferi është gjithmonë një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA, i gatshëm të reagojë në çdo situatë (pranë sediljes së tij ka një mitraloz). Një nga provat më të vështira që duhet kaluar thuhet se është kthimi me shpejtësi të plotë në drejtim të kundërt, manovër e ndërlikuar duke pasur parasysh peshën e Cadillac One.

1755289240_putindhetrumpnlimuzinnepresidentitamerikan.jpeg


Lajmi kryesor:

Trump-Putin flasin për marrëveshje, por pa detaje! Lideri i Kremlinit: Shpresoj të hapet rruga e paqes me Ukrainën, Europa mos bëhet pengesë! Kreu i Shtëpisë së Bardhë: Do flas me Zelenskyn


V.GJ /SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?