Tirana fitoi këtë të premte 0-2 kundër Erzenit për raundin e 32-të në Superligë, duke e çuar në tre numrin e ndeshjeve pa pësuar gol. Pas ndeshjes për MCN trajneri i bardhebluve, Erbim Fagu tha se të tijtë duhet të ruajnë këtë ecuri dhe të përmbysin Kukësin në Kupë gjatë mesjavës (humbje 2-0 në sfidën e parë). E diela e javës tjetër rikthen derbin mes Tiranës dhe Partizanit, me bardheblutë që kërkojnë suksesin për të qenë në "Final 4".
"Erzeni humbi një penallti, fati ishte me ne sot. Shënuam golin e dytë dhe e kontrolluam ndeshjen prapë. Patjetër që na gëzon kjo fitore. Ne gjithmonë kemi pësuar gol dhe pastaj kemi kërkuar që të kthejmë rezultatin. Kur e mbaron ndeshjen me zero gola, krijohet stabilitet dhe besim.
Jam i lumtur që e mbajmë portën të paprekur. Besoj se do ta kthejmë ndeshjen me Kukësin në Kupë, kemi lojtarë që janë përballur edhe më herët me të tilla situata. Dy gola janë shumë, por janë edhe pak.
Derbi? Dihet që nuk mund t’ia gjesh dot rezultatin, do të bëjmë maksimumin për të fituar tre pikët që të sigurojmë 'Final 4'", tha Fagu mes të tjerash.
Lajmi kryesor:
Renditja/ Tirana mposht Erzenin dhe prek 'Final 4', Skënderbeu fiton në Kukës! Verilindorët me 'një këmbë' në të Parën
S.Dh/ReportTv.al