Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Izraeli nuk po sillet si një shtet por si një organizatë, pasi ushtria izraelite po i vazhdon bombardimet pareshtur në Rripin e Gazës qëkur u sulmua nga Hamasi në fundjavë.
“Izraeli nuk duhet të harrojë se, nëse sillet si një organizatë dhe jo si një shtet, do të përfundojnë duke u trajtuar si e tillë”, tha Erdogan, duke i cilësuar si metoda të turpshme sulmet e ushtrisë izraelite në Gazën e mbipopulluar.
Erdogani theksoi se bombardimi i zonave civile, vrasja e civilëve, bllokimi i ndihmave humanitare dhe përpjekja për t’i paraqitur këto si arritje, janë veprime të një organizate dhe kjo të një shteti.
“Ne mendojmë se lufta duhet të ketë etikë dhe të dy palët duhet ta respektojnë këtë. Fatkeqësisht, këto parime po shkelen rëndë në Izrael dhe në Gaza”, tha ai, duke e dënuar vrasjen e civilëve në territorin izraelit dhe masakrimin e njerëzve të pafajshëm në Gaza, të cilët përballen me bombardime të vazhdueshme.
Erdogani zakonisht e përdor fjalën “organizatë” kur flet për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila cilësohet si grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Gaza në terr, fiket centrali, vriten 11 anëtarë të OKB! Izraeli formon qeverinë emergjente, përgatitet për 'luftë me dy fronte' nëse sulmon grupi libanez Hezbollah
M.T/ReportTv.al