Gjyqtari Erjon Bani, njëkohësisht kryetar i GJKKO-së, foli në lidhje me vetingun e gjyqtarëve dhe integritetin, lidhur edhe me deklaratat e fundit politike që janë bërë.
Ai tha se integriteti i gjyqtarëve gjykohet nga institucione më të larta gjyqësore, është bërë njëherë sepse kanë kaluar në filtra vetingu dhe kushdo që ka pretendime dhe dyshime t’i drejtohen organeve kompetente. Bani pranoi se drejtësia gjendet nën presion.
“Lidhur me integritetin e gjyqtarëve, siç e tha edhe zoti Dumani, edhe për shkak të ligjit, kushtetutës, por edhe në marrëdhënie ndërkombëtare, jemi më të monitoruarit. Përsa i përket integritetit të gjyqtarëve, kujtoj se po prezumohet integriteti i tyre, kush ka pretendime i drejtohet institucioneve, nuk mund të bëhet gjyqi i gjyqtarit. Gjyqin e bëjnë institucionet e tjera, gjyqin e gjyqtarëve e bëjnë organe që janë në gjykatat e larta. Qëllimi i vettingut është bërë për të sjellë besimin e qytetarëve për drejtësinë, përderisa kalon këtë nivel, pra kalon këtë filtër dhe integriteti prezumohet”, u shpreh ai ndër të tjera.
Bani, i cili është edhe gjyqtari që firmosi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, ritheksoi se cilido që ka dyshime dhe indicio t’i drejtohet organeve përkatëse. Por shtoi se ata janë më të kontrolluarit, pasi kanë kaluar disa shkallë kontrolli.
“Kushdo që ka dyshime dhe indicio të drejtohet në organet kompetente. Presioni që i është bërë gjyqtarëve është evident dhe s’është bërë asnjëherë tjetër. Është kontrolluar edhe integriteti personal e familjar i gjyqtarëve dhe në shkallë më të gjerë. Madje janë kontrolluar mesazhet, jemi më të monitoruarit. Kaluam filtrin e vettingut, kaluam në KLP e KLGJ dhe kaluam filtrin e një komision të posaçëm brenda SPAK. Askujt nuk i është bërë vetting si neve”, tha magjistrati.
Lajmi kryesor:
‘Arrestet me burg pa kriter’, Dumani ‘replikë’ me Ramën: Përpjekja që SPAK të duket si institucion represiv, tentativë e dështuar! Bani: S’mund t’u bëhet gjyqi gjyqtarëve
A.Q/ReportTv.al
