Në një vijë bregdetare prej 5 km nga fundi i Plazhit të Vjetër deri në afërsi të TriPortit, çdo vit humbet sipërfaqe plazhi nga hyrja e detit në tokë.
Qytetarë dhe peshkatarë tregojnë se plazhi para disa vitesh ka qenë rreth 30-40 metra, ndërsa sot është mbuluar nga deti i cili po shkatërron edhe pishat shumëvjeçare.
‘Duhen marrë masat e duhura se është një fenomen që prish bukuritë e ambientit dhe largon dhe turizmin. Dikush e frekuenton detin në stinën e verës por ka që vijnë edhe në stinën e vjeshtës. Fatkeqësisht, ndodhemi përballë këtij faktori që po çon drejt shkatërrimit të plotë’, thotë një qytetar.
‘Deti ka ardhur nja 10 metra, ka marrë tokë. Këtë e shohim tek pishat i ka rrëzuar, pishat kanë rënë të gjitha në tokë’ shton një qytetar tjetër.
Duke peshkuar prej vitesh në Plazhin e Vjetër, peshkatarët thonë se erozioni është i dukshëm dhe çdo vit rrëmben sipërfaqe toke.
‘Këtu ka përparuar deti është futur brenda. Por ka shumë hedhurina, buknkerë, çimento. Ça nuk ka këtu, atje i lemë dhe grepat’, shprehte një peshkatar.
‘Shumë, keq, erozioni ka bërë punën e tij. I ka shkulur pemët. Këto pemët duhet të ishin pastruar e rregulluar që të vinin turista nga e gjithë bota’, shton një tjetër.
Fenomeni është cilësuar i rrezikshëm nga specialistët e mjedisit të cilët thonë se vjen për shkak të ndryshimeve klimaterike. Mbjella e pemëve të reja është mundësia e vetme për të frenuar dëmet.