DUSSELDORF - Anglia është gjysmëfinalistja e tretë e Euro 2024. "Tre Luanët" kaluan pas 120 minutave lojë dhe penalltive (5-3) Zvicrën, ndërsa koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 1-1. Tanimë anglezët që janë nënkampionët në fuqi të Evropës presin duelin Holandë - Turqi për të mësuar rivalin.
Zvicra nuk mundi dot të shkruante historinë për të prekur për herë të parë gjysmëfinalen, teksa kaluan të parët në epërsi me golin e Brel Embolo në minutën e 75-të të takimit.
Vetëm pesë minuta zgjati avantazhi i helvetëve, me Bukayo Saka që me një të majtë të bukur nga hyrja e zonës barazoi gjithçka. Koha e rregullt u mbyll 1-1, me skuadrat që u drejtuan te shtesa prej 30 minutash.
Edhe këto minuta panë dy ekipe të kujdesshme, duke ia lënë gjithçka penalltive. Nga pika e bardhë anglezët u treguan më të zotët, duke shënuar me Palmer, Bellingham, Saka, Toney dhe Alexander-Arnold. Ndërkohë te Zvicra Akanji gaboi që në goditjen e parë, e cila u ndal nga Pickford. Schar, Shaqiri dhe Amdouni e dërguan topin në rrjetë për helvetët.
Edhe pse me Xhakën nga minuta e parë dhe Shaqirin të futur gjatë lojës, Zvicra nuk mundi të kalonte në gjysmëfinale. Pas çiftit Spanjë - Francë, tanimë është Anglia që do mësojë këtë mbrëmje rivalin për në gjysmëfinale.
Formacionet zyrtare:
Angli: Pickford; Konsa, Stones, Walker; Saka, Rice, Mainoo, Trippier; Bellingham, Foden; Kane.
Zvicër: Sommer; Rodriguez, Akanji, Schar; Aebischer, Xhaka, Freuler, Rieder; Vargas, Embolo, Ndoye.
Notat e ndeshjes sipas FlashScore, Bukayo Saka i Anglisë më i miri në fushë:
Jordan Pickford priti vetëm një penallti në ndeshjen mes Anglisë dhe Zvicrës, por ajo rezultoi vendimtare për të siguruar gjysmëfinalet për britanikët. Ai ndali gjuajtjen e parë të ekzekutuar nga Manuel Akanji, duke u hedhur në të majtën e tij për ta ndalur.
Në foto që po qarkullon në kanalet e komunikimit, duket se Pickford i kishte shënuar penalltitë dhe gjuajtjet e rivalëve, teksa kuptoi krahun e disave prej trye. Me pritjen e sotme, ai rezulton se ka pritur 4 nga 14 penalltitë që janë gjuajtur kundër tij që kur debutoi me këtë përfaqësuese.
Xherdan Shaqiri, shqiptari i Zvicrës nuk e ka kapërdirë eliminimin nga Euro 2024. Humbja me Anglinë pas penalltive në çerekfinalet e Euro 2024 për të ka qenë "brutale".
“Mendoj se nuk ka asgjë më brutale se të eliminohesh me penallti. Kemi luftuar dhe kemi dhënë çdo gjë për të vazhduar rrugën. Jam shumë krenar me ekipin dhe mendoj se kemi bërë shumë njerëz krenarë dhe të lumtur. Ky ishte gjithnjë synimi ynë i madh. Në futboll një ekip eliminohet edhe me penallti dhe Anglia ishte më e mirë në to sot. Ishim afër, por për fat të keq anglezët kishin nerva më të qeta. Por njerëzit do ta kujtojnë që luajtëm Evropian të mirë.
Mund të shihet edhe në media sociale si kanë festuar njerëzit dhe kjo ka ndikuar te ne. Kjo eufori na ka prekur dhe nuk mund të fajësohemi për asgjë. Të gjithë jemi shumë krenarë me paraqitjen dhe mund të ndërtojmë në këtë për turneun e ardhshëm”, ka thënë Shaqiri pas ndeshjes.