Anglia fitoi pas penalltive kundër Zvicrës, me kohën e rregullt që u mbyll 1-1. Pas ndeshjes dhe sigurimit të gjysmëfinaleve të Euro 2024, trajneri i "Tre Luanve", Gareth Southgate tha se të tijtë kanë bërë ndeshjen më të mirë në turne.
“Djemtë ishin të shkëlqyer. Kjo është ndeshja më e mirë që kemi luajtur deri tani. I krijuam Zvicrës shumë probleme kur kishim topin në zotërim. Zvicra është një kombëtare shumë e fortë dhe është e vështirë t’u bësh presing atyre. Reaguam sërish pas disavantazhit, kjo tregon karakterin e lojtarëve.
Suksesi në turne të tillë nuk vjen vetëm duke luajtur mirë, por edhe duke dëshmuar karakter dhe mentalitet në momentet kyçe”, deklaroi Southgate.
Më tej Southgate ka treguar se kanë praktikuar shumë herë penalltitë, ndërsa vlerësoi edhe paraqitjen e portierit Jordan Pickford.
“Kemi treguar përmirësim në seritë e penalltive në vitet e fundit. U kryqëzuam herën e fundit kur u mundëm ndaj Italisë në finalen e Euro 2020. Në Kombëtare kemi lojtarë që godasin rregullisht për ekipet e tyre. Ata treguan qetësinë e duhur. Na duhej dhe ndihma e Pickford, gjithnjë i aftë për të pritur penallti të rëndësishme”, deklaroi Southgate.
Anglia të mërkurë luan kundër Holandës në gjysmëfinale, ndeshje e cila fillon në orën 21:00.