LEIPZIG - Europiani "Gjermani 2024" ka mbyllur mbrëmjen e së martës ndeshjet e para në të gjitha grupet. Në atë F, Portugalia përmbysi 2-1 Çekinë në një ndeshje më shumë se të luftuar, me raste, gola dhe rekorde.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll 0-0, paçka se Portugalia dominoi dhe 45 minutat u zhvilluan vetëm në njërën anë të fushës. Kur askush nuk e priste, supergoli i Provod në minutën e 62 i dha epërsinë çekëve.
Kjo gjë "ndezi" ekipin e Martinez që shtoi presionin në sulm. Si pasojë e aksioneve të shpeshta, Portugalia detyroi Hranac që në minutën e 69 të shënonte në portën e tij, për barazimin 1-1.
Duhej minuta e dytë shtesë që i sapofuturi Conceicao të shënonte golin e dytë dhe të përmbysjes te Portugalia, me "Luzitanët" që marrin tri pikë dhe barazojnë Turqinë në krye të Grupit F. Nga ana e saj Turqia mundi 3-1 Gjeorgjinë.
Në përballjen e Leipzigut Cristiano Ronaldo u bë lojtari i vetëm që ka luajtur në gjashtë Kampionate Evropiane, ndërsa Pepe lojtari më i vjetër që luan në Euro në moshën 41 vjeç e 113 ditë.
Renditja e Grupit F
Formacionet zyrtare:
Portugalia: Diogo Costa, Ruben Dias, Pepe, Nuno Mendes, Dalot, Bruno Fernandes, Vitinha, Cancelo, Bernardo Silva, Rafael Leao, Ronaldo.
Çekia: Stanek; Holes, Hranac, Krejcí; Coufal, Soucek, Provod, Sulc, Doudera; Kuchta, Schick.
KLIKO për të parë renditjen në të gjitha grupet e Euro 2024 pas ndeshjeve të para