DUSSELDORF - Shqipëria dhe Spanja luajnë të hënë në orën 21:00 në stadiumin e Dusseldorfit për ndeshjen e tretë dhe të fundit në Grupin B në Euro 2024, ajo që vendos shumë për fatet e kuqezinjve.
Me Spanjën të kualifikuar me gjashtë pikë pas dy dueleve të para dhe me trajnerin de la Fuente që ka folur për rotacion kundër kuqezinjve, djemtë e Kombëtares e kanë gjithçka në dorën e tyre dhe një tri pikësh është i vetmi që bën punë.
Historia dhe statistikat janë kundër tanëve, që në tetë përballje kundër Iberikëve kanë humbur po kaq herë. Tanimë edhe UEFA ka bërë një parashtrim sesi skuadrat e Grupit B mund të kalojnë në fazën e 1/8.
24 qershor: Shqipëria (1 pikë) – Spanja (6 pikë), Kroacia (1 pikë) – Italia (3 pikë)
Spanja kalon në raundin e 16-të si fituese e grupeve.
Italia do të kalojë në raundin e 16-të si nënkampione e grupit nëse shmang humbjen kundër Kroacisë. Italia nuk do të arrijë dot në fazën e 16-të nëse humbet dhe Shqipëria mund Spanjën.
Shqipëria do të kalojë në raundin e 16-të si nënkampione e grupit nëse mposht Spanjën dhe Kroacia mund Italinë, duke siguruar që Shqipëria të përfundojë përpara Kroacisë në diferencën e përgjithshme të golave ose më pas golat e përgjithshëm të shënuar, ose më pas pikët disiplinore ose më pas renditjen e Kualifikuesve Evropian. Shqipëria nuk do të mund të arrijë në 1/8 nëse humbet, ose nëse barazohet dhe Kroacia mund Italinë.
Kroacia do të kalojë në raundin e 16-të si nënkampione e grupit nëse mposht Italinë dhe Shqipëria nuk mund Spanjën (nëse fiton edhe Shqipëria, Kroacia dhe Shqipëria do të ndahen në vendin e dytë dhe të tretë sipas kritereve të mësipërme). Kroacia nuk do të jetë në gjendje të arrijë në 1/8 nëse humbet, ose nëse barazohet dhe Shqipëria shmang humbjen.